Kosova nuk arrin kualifikim direkt edhe pse paraqitja ishte dinjitoze

0

Kosova dështoi për të shkuar në Europianin e 2020-ës nëpërmjet kualifikueseve, pasi humbi me rezultatin 2-1 në sfidën vendimtare ndaj Republikës Çeke në Plzen, ndonëse kaloi e para në avantazh.

Sfida më e rëndësishme për Kosovën, nisi me një presion të lartë të çekëve, që për 30 minuta zhvilluan lojën në gjysmëfushën e “Dardanëve”, por forma e mirë e portierit Muriç, bëri që kuadrati të mbetej i paprekur.

Pas minutës së 30’ intensiteti i lojës te vendasit ra ndjeshëm dhe Kosova filloi të shohë vazhdimisht drejt portës kundërshtare, duke kërcënuar edhe me një rast të rrezikshëm, por pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.

Trajneri Challandes hodhi në fushë Besar Halimin në fillim të pjesës së dytë dhe vetëm pas 5 minutash, “Dardanët” gjetën golin e avantazhit me sulmuesin Atdhe Nuhiu, që gjuajti bukur me kokë, pas një krosimi nga Hadergjonaj.

Nuhiu kishte marrë përsipër të zëvendësojë Vedat Muriqin e dëmtuar dhe ia doli me sukses, jo vetëm për golin, por edhe për punën e shumtë në repartin e avancuar, duke marrë disa faulle dhe fituar minuta.

Megjithatë çekët zhvendosën lojën në gjysmëfushën e Kosovës dhe pas dy traversave radhazi, arritën të barazojnë në minutën e 71-të me anë të Kral, që gjuajti saktë nga distanca dhe mposhti portierin Muriç.

Vetëm 8 minuta më vonë çekët gjetën edhe golin e dytë, teksa pas një goditjeje nga këndi, topi mbeti në rrëmujë dhe aty Celutska bëri një gjuajtje të dobët, që kapi në befasi portierin Muriç, duke bërë që topi të ndalej në rrjetë për herë të dytë.

Minutat në vijim trajneri Challandes bëri të gjitha lëvizjet për të shmangur humbjen, duke hedhur në fushë edhe Edon Zhegrovën, por nuk ia doli të shmangë disfatën e “Dardanëve”, ndonëse arritën të shkojnë disa herë në zonën kundërshtare.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi fitoren e vendasve me rezultatin 2-1, ndërsa me këto 3 pikë Republika Çeke u ngjit në kuotën e 15 pikëve, në vendin e dytë, 4 pikë më tepër se Kosova e vendit të tretë.

Ndonëse nuk arriti të kualifikohet nëpërmjet fazës eliminatore, Kosova meriton notën maksimale për performancën në këtë fushatë, pasi ia doli të lërë pas në renditje dy skuadra si Mali i ZI dhe Bullgaria, me shumë traditë në arenën ndërkombëtare.

Ndërkohë vlen të theksohet se Kosova ka ende mundësi të sigurojë një vend në Kampionatin Europian 2020, por për t’ia dalë, do të duhet të triumfojë në Play Off-in e Ligës së kombeve, ku u rendit në krye të grupit.