Markat e njohura “made in Italy” kanë nisur një fushatë ndihme ndaj sistemit shëndetësor italian i vënë në vështirësi serioze prej pandemisë së koronavirusit që ka përfshirë vendin.

Kompania e njohur Calzedonia e cila prodhon veshje të brendshme, corape, geta, kostume plazhi etj., ka vendosur të ndryshoj linjën e saj prodhuese e t’i përshtatet kërkesave kombëtare.

Kompania ka vendosur të prodhojë maska sanitare e këmisha mjekësore. Ajo i ka dhuruar 5000 maskat e para bashkisë së qytetit të Veronës.

Për këtë linjë të re prodhimi Calzedonia ka blerë makineri të reja e do të prodhojë rreth 10 mijë maska sanitare në ditë me objektiv rritjen e këtij numri.

Puna sapo ka nisur në fabrikat e Calzedonias në Itali e në Kroaci.

Presidenti i kësaj kompanie Sandro Veronesi ka deklaruar se kanë qenë nga të parët që ka vendosur të mbyllë pikat e shitjes së markës së tij për të mbrojtur punonjësit.