Fakte që ti shohi edhe Palmeri: Ja se si janë katandisur votimet e Rilindjes

Jemi pak muaj nga 25 prilli. Datë kjo e cila do të vendosë shumë se si do të jetë e ardhmja e këtij vendi. Dilema më e madhe, është kë do duan të votojnë shqiptarët? Bashën, Ramën, çiftin Meta- Kryemadhi apo të ashtëquajturën “Shoqëri civile”? Duam apo nuk duam këto janë alternativat.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje nuk na duhen sondazhe partie, si ato që nxjerrin LSI- në forcë të parë. As nga kalkulimet matematikore të zgjedhjeve bazuar në ato të 2013-ës nga Zaloshnja. Mjafton një laps e letër dhe pak ri-kujtesë. Na duhet të nxjerrim në pah si kanë votuar shqiptarët nga 2005-sa e këtej. Kaq na mjafton për të treguar tendencën e votës. Le të na kundërshtoni, por vota e popullit shqiptar ka qenë emocionale, sipas miqësive, nevojës dhe shkëmbimit. Ti marrim një nga një. Në 2005-ën shqiptarët i dhanë një fitore plebishitare rikthimit të Berishës në pushtet duke larguar qeverisjen e Nanos. Çuditërisht kabinet dhe kandidatë me Prof. Dr, parapërcaktime akademike që kemi harruar ti shohim në listat e fundit, sikurse me vështirësi ti gjejmë, realë, edhe në kabinetin e Ramës. Pra, ne si popull nuk i “honepsim” diturinë e tjetrit,  akademikët jo e jo. Pra, që nga ai moment ne skemi më profesora në parlamentet, nga ata “të vërtetët”. Politika jonë është e para për kthesa dhe lexime elektorale.

Ne na shkon përcaktimi, “që të shajmë përsëgjalli dhe të dekorojmë pasi vdes”. Thjeshtë merrni statistikat, dekorimet e titujt që ja japim pasi vdesin, se përsëgjalli jemi të parët për ti njollosur. E kemi në natyrë. Pastaj ankohemi se po futen në parlament drogaxhinj. Kush i ka votuar? NE, me hir apo pahir! Atëherë?

Më keq akoma fillojnë dhe urrejnë kasten politike dhe në dy zgjedhje i japim thuajse 13% të votave LSI-së, që në parlament ka 1/7 e përfaqësuesve, më saktë i kishte deri para djegies së mandateve. Fillojnë e qahen në Facebook se Rama po i merr në qaf, në 2017 e votojnë pa program elektoral. Tani na qahen se çfarë ka bërë? Por, çfarë ka premtuar? Asgjë!

Demokratët e Shkodrës votojnë Tom Doshin, dihet se kush është, dhe pastaj shkojnë e djegin selinë e PS-së se ka sjell në pushtet oligarkët. Më fal Tomën kush e votoi? PDIU-së kush i dha 2 deputetë në Elbasan? Atë “tërmet-shkaktuesin” kush e votoi në Dibër? E vërteta është e hidhur, por ne ky popull jemi.  Ne e antipatizojmë Bashën se është ndryshe. Ne antipatizojmë Monikën se Iliri ka vjedh florinin e Krrabës. Ne antipatizojmë Ramën se është ai që është. Dhe, mos harroni jemi ne shqiptarët që mbajmë Metën në pushtet nja 20 e kusur vite. Ramën po e po. Ndërsa Bashën nuk e duam se është i urtë dhe bën lapsuse.

Po kë duan shqiptarët? Ata duan atë që shajnë më shumë. Votat këtë tregojnë. Berishën e sollën në pushtet pa kaluar 7 vite nga 97-ta, piramidat e ç’kusur hoqën kur ishte në pushtet.

Votuan, votojnë dhe do ta votojnë Metën. Njeriun dhe politikanin më të përfolur negativisht për çdo gjë mbi dhe nën tokë në këtë vend.

Votuan në 2017 Ramën, pasi e shanin pafundësisht për largimet nga vendi, burgosjen për faturat e enrgjisë, PPP-të e mallkuara, çnuk lanë pa i thënë, por shkuan në rresht dhe votuan.

Prandaj, lerini sondazhet, pakënaqësinë e rrjeteve sociale, se në fund të fundit do shkoni rresht në votime. Por, këtë herë ju lutemi, madje i lutem edhe vetes time, votoni me mend. Mendoni për fëmijët dhe nipërit. Dhe ju emigrantë, kur të votoni mendoni për ne, sepse jeni duke zgjedhur për ne.

MEDIA LINE NEWS