Jep dorëheqjen Kryeministri i Francës Eduard Filip

Kryeministri i Francës, Eduard Filip, ka njoftuar dorëheqjen në prag të riorganizimit të kabinetit qeveritar nga ana e presidentit Emanuel Makron. Kreu i shtetit thotë se vendi ka nevojë për një “rrugëtim të ri” për daljen nga krizat.

Kryeministri francez, Eduard Filip, dhe i gjithë kabineti i tij trevjeçar, dhanë dorëheqjen të premten për t’i hapur rrugën riformatimit të qeverisë së re nga presidenti i vendit.

Zyra e kreut të shtetit njoftoi se Emanuel Makron e pranoi largimin e politikanit republikan, Filip, i cili së bashku me ministrat do të vijojë detyrat shtetërore deri në shpalljen e pasardhësit.

Gjatë një deklarate për mediet, Makron paralajmëroi të enjten se teksa i mbeten edhe dy vite nga përfundimi i mandatit të tij presidencial, Francës i duhen të ndjekë një “rrugëtim të ri” për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike e vështirësuar në këtë gjashtëmujor të parë edhe nga pandemia e kovidit.

Vendimi për ndryshimin e qeverisë pason një fundjavë zgjedhjesh lokale që nuk i siguruan grupimit politik të presidentit francez asnjë qytet të madh, ndërkohë që vetë kryeministri Filip mundi të rifitojë postin në një nga bashkitë ku ai rikandidonte në veri.

Në medie qarkullonin lajme që nga muaji qershor se presidenti Makron po kërkonte ta freskonte qeverisjen e vendit për shkak të popullaritetit në rënie pas fitores plebishitare të 2017-ës.

Lëvizjet e jelekverdhëv, grevat e ndryshme, axhenda më shumë favorizuese për bizneset, protestat kundër reformës së pensioneve, situata me refugjatët dhe reagimi institucional ndaj rrezikut epidemik të koronavirusit mendohet se e kanë dëmtuar reputacionin e ish-bankierit 42-vjeçar.

Ndërkohë sondazhet nxjerrin më të pëlqyer Filipin, aleatin e tij politik tani kryeministër në detyrë, i cili mendohet se mund të jetë një nga rivalët për president në zgjedhjet e 2022-it.

Makron ka deklaruar se qeveria e re që ai do caktojë në orët në vijim do ketë për prioritet politikat e shëndetit publik dhe ato ambientaliste, moshat e vjetra dhe nismat për të rinjtë.