Hetimet pas tërmetit, avokatja nxjerr zbuluar Prokurorinë: Nuk u siguruan provat ditën e ngjarjes

0

Teksa prokuroritë në vend kanë nisur hetimet për ndërtesat që u shkatërruan pas tërmetit 6.4 ballë, avokatja Denisa Daka tregoi për Fax News gabimin e pafalshëm sipas saj të bërë nga organi i akuzës.

Gjatë një interviste në studio, Daka deklaroi se prokuroria duhe të ishte në terren ditën e ngjarjes për të mbledhur prova, por theksoi, një gjë e tillë nuk është bërë.

Këtë avokatja e quan gabim sepse procedimi penal nuk mund të nisë pa u siguruar prova. Edhe shembjen e ndërtesave ajo e sheh si të gabuar sepse në këtë mënyrë shkatërrohen edhe provat.

“Ndërtesat të mos preken, ndryshe akti i ekspertimit nuk mund të kryhet. Nuk mund të shihen katet, nuk mund të shihet largësia. Kështu do t’i shpëtojnë pastaj të gjithë një nga një përgjegjësisë për këtë tragjedi urbane. Në momentin që ka ndodhur ngjarja prokuroria duhet të ishte në vendngjarje siç ndodh rëndom. Kishte viktima, kishte dëme.

Gjëja e parë ishte sigurimi i provës, por kjo nuk u bë dhe kjo është e pafalshme. Ne duhet të kalojmë këtë situatë emergjente dhe që kjo të mos përsëritet. Qeveria duhet të dalë me një paketë me pika të caktuara që njerëzit që kanë vendosur të jetojnë në këtë vend të kenë siguri. Kjo tragjedi ishte e paralajmëruar dhe duhen gjetur shkaktarët”, deklaroi avokatja Denisa Daka nga studio e FaxNews.