Me Mercedesin e tij, Hamilton arriti të regjistrojë xhiron më të shpejtë të të gjitha kohërave në pistën e “Albert Park”-ut, me kohën 1 minutë, 21 sekonda e 164 të mijëtat. Një kohë e pamundur për t’u arritur nga të tjerët, duke nisur nga Ferrari i pretendimeve të mëdha.

Raikkonen dhe Vettel nuk kanë mundur të sigurojnë më shumë sesa vendi i dytë dhe i tretë respektivisht, por me një diferencë prej 7 të dhjetash nga udhëheqësi.

Pas dy pilotëve të “kokëkuqes” janë renditur dy Red Bullët e Verstappenit dhe Ricciardos, edhe pse australiani do të mund të niset vetëm nga vendi i tetë.

Në garën e ditës së nesërme, dy ferraristëve nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të nisen sa më mirë, për të mos lejuar shkëputjen dhe arratisjen e kampionit të botës në fuqi.

Me “pole positionin” e sotëm, britaniku është ngjitur në kuotën e 7 të tillave vetëm në Melbourne.