Grida Duma: Largimi i Ramës është fillimi i dialogut

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, i është përgjigjur ish-numrit dy të demokratëve, Arben Ristanit, i cili një ditë më parë e cilësoi si një gabim të rëndë vendimin e opozitës së bashkuar joparlamentare për të djegur mandatet.

Në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa në emisionin “Kjo Javë” në televizionin informative “News 24”, Duma u shpreh se ky nuk është momenti për të matur suksesin e aksionit opozitar, duken shtuar se një sakrificë ekstreme si “djegia e mandateve”, do të shpërblehet.

Ky nuk është momenti për të matur suksesin e aksionit opozitar. Sakrificat ekstreme shpërblehen. Sa më i madh risku dhe sakrifica, aq më i madh është shpërblimi. Opozita e ka zbutur revoltën qytetare dhe qytetarët sot janë aksionerë të protestave të tyre. Është investuar shumë në këtë vend. Ka ardhur koha për t’i dhënë kostot klasës së brendshme”, ka deklaruar Duma.

Duke qendruar tek tema e gabimeve të PD-së, ish-deputetja ka theksuar se gishti i përgjegjësisë duhet drejtuar kundrejt pushtetarëve, pasi sipas saj në aksionin e tij, fronti opozitar “ka bërë  shkëlqyeshëm kartën denoncuese dhe të transparencës”. “Paralelisht me këtë, ajo ndërton kartën për ardhjen në pushtet. Duhet folur për gabime për ata që janë në pushtet. Ka plot vende ku opozita nuk bën maksimumin. Kjo nuk është etapa për ta matur këtë, do vijë etapa për ta matur këtë që po bën.”- ka thënë ndër të tjera Duma.