Gjykata britanike ndalon ekstradimin e Assange

Themeluesi i WikiLeaks Julian Assange nuk mund të ekstradohet legalisht në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza spiunazhi mbi botimin e dokumenteve sekrete ushtarake Amerikane, vendosi të hënën një gjykatë britanike.

Gjykatësja e rrethit Vanessa Baraitser dha vendimin e saj në gjykatën Old Bailey të Londrës, ndërkohë që në ambientet e gjykatës kishte një grup mbështetësit të Assange. Avokatët që veprojnë në emër të qeverisë amerikane kanë thënë tashmë se do të apelojnë vendimin e dhënë nga shkalla e parë.

Nëse Assange, tashmë 49 vjeç, do të ekstradohej në SHBA, ai do të përballej me një dënim që në maksimumin e tij do të shkonte në 175 vite burg, pasi ndaj tij rëndojnë 17 akuza për spiunazh, dhe një tjetër akuzë për keqpërdorim të kompjuterit.

Ekipi mbrojtës i Assange tha në seancë se ekstradimi i tij në rast se ndodhte do të ishte për arsye politike, ndërsa shtuan se klienti i tyre vuan nga depresioni klinik dhe probleme të tjera që lidhen me shëndetin mendor.