Gati ligji/ Pedofilët do të listohen në një regjistër të veçantë

Ekspertët e Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët të CRCA/ECPAT Shqipëri, pas një pune intensive disa-mujore, më së fundi kanë bërë gati për konsultim projekt-ligjin “Për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale”.

Ky ligj ka për qëllim të vëzhgojë dhe kontrollojë lëvizjet e personave të dënuar apo të vetë regjistruar si pedofilë, për të parandaluar krimet dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.

Projektligji bazohet në eksperiencën legjislative dhe praktikat më të mira të disa vendeve, si: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Irlanda, SHBA dhe Maqedonia e Veriut.

Regjistri përveçse do të krijojë premisa për parandalimin e krimeve seksuale në Shqipëri, cakton edhe përgjegjësitë që kanë autoritetet publike, si dhe çdo institucion apo organizatë publike e private që punon me dhe për fëmijët në Shqipëri.

Të gjithë të dënuarit për krime seksuale me vendim të formës së prerë, do të regjistrohen automatikisht në Regjistër, ndërsa personat që nuk kanë kryer krime, por që kanë tendencën që të kryejnë marrëdhënie seksuale me fëmijët, do të kenë të drejtë të vetë-deklarohen dhe të vetëregjistrohen në Regjistër si pedofilë dhe do të përfitojnë falas nga programet sociale dhe psikologjike të trajtimit dhe rehabilitimit, të cilat do të financohen nga Ministria përgjegjëse në bashkëpunim me OJF-të.

Regjistri do t’i shërbejë të gjitha institucioneve që punojnë me dhe për fëmijët për të eliminuar punësimin e pedofilëve në mjedise ku ka fëmijë, ndërsa vetë ligji ka një karakter të fortë social dhe parandalues, duke i dhënë mundësi çdo personi që është pedofil të shmangë kryerjen e krimeve seksuale. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë kryer krime seksuale ndaj fëmijëve dhe që nuk duan të pranojnë të ndjekin programet rehabilituese apo trajnuese psiko-sociale, do t’ju duhet të raportojnë çdo të dhënë dhe lëvizje të tyre para policisë.

CRCA është në fazën e studimit të mundësive të propozimit të kësaj nisme nga një deputet apo një grup deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë që në javët në vazhdim projekt-ligji do të konsultohet me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe ekspertët e të drejtave të fëmijëve, për të përmirësuar edhe më tej përmbajtjen e tij, versioni final i tij do të paraqitet në Kuvend për të marrë aprovimin e deputetëve.

Të paktën 1 në 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës dhe ngacmimeve seksuale online dhe në jetën e përditshme. Ngjarjet më të rënda të raportuara së fundmi, tregojnë se fenomeni i dhunës seksuale është tepër i përhapur, ndërkohë që mungon ndërgjegjësimi i mjaftueshëm për këtë çështje tek prindërit. Studimi 10-vjeçar i CRCA/ECPAT Shqipëri për krimet seksuale tregoi se sistemi i drejtësisë arrin të dënojë deri në 43 për qind të krimeve seksuale të raportuara kundër fëmijëve, duke i lënë shpesh fëmijët dhe adoleshentët pa iu dhënë drejtësi.