Egbo: Fitore e rendësishme, por nga nesër mendojmë për ndeshjen e rradhës

“Emanuel Egbo është trajneri i Tiranës, i cili bëri mrekullinë e tij, teksa e mori skuadrën bardheblu nga vendi i 8 i renditjes dhe e shpalli kampione, duke fituar 20 nga 23 ndeshje.

Për këtë sukses të jashtëzakonshëm, ka shkruar edhe gjiganti mediatik britanik, BBC. Një këndvështrim sportiv, por edhe njerëzor për trajnerin nga Nigeria, i cili krenohet në emër të njerëzve me ngjyrë, por edhe zbulon disa ndodhi të pakëndshme racore, me të cilat është përballur në futbollin shqiptar”.

” Trajneri i parë afrikan, që kualifikon një ekip në Ligën e Kampionëve (të Europës), Emanuel Egbo, i skuadrës shqiptare të KF Tirana, ka folur për abuzimin racist që provoi këtë sezon, në rrugën e tij për të bërë histori. KF Tirana u konfirmua fundjavën e kaluar si fituese e Kategorisë Superiore, niveli më i lartë i futbollit shqiptar për meshkuj.

Arritja e tij ishte e mrekullueshme, duke pasur parasysh që e mori përsipër drejtimin e skuadrës kur kërcënohej me rënie një kategori më poshtë, në vendin e 8-të (nga 10 skuadra gjithsej). Por, ish-portieri nigerian, i cili ka pasaportë të dyfishtë, nigeriane dhe shqiptare, tha se kishte pasur shumë abuzime racore ndaj tij.”

“Ka njerëz që nuk donin që unë të fitoja për shkak të ngjyrës sime, – i tha 47-vjeçari “BBC Sport”. – Ka racizëm. Në një ndeshje hodhën një banane për mua. Ata edhe më pështynë. Zyrtarët e FSHF-së nuk bënë asgjë, sepse ishte një ndeshje larg shtëpie (në transfertë). Policia dhe siguria ishin atje, por askush nuk bëri asgjë. Ata kishin frikë nga tifozët atje. Unë nuk mund të bëja asgjë. Thjesht duhej ta pranoja”.

Egbo shpjegoi se ndonjëherë dëgjon gjëra që janë thënë për të në shqip, sepse njerëzit mendojnë se ai nuk do t’i kuptojë. Një herë, kur po hipte në autobus, në kryeqytet, me një çantë në shpinë, dy burra nga mbrapa i thanë në shqip: “Ky mund të jetë i “Al Kaeda”. Egbo tregon: “Unë iu thashë atyre: A mbaruat me ofendimet? Ata u befasuan nga shqipja ime e rrjedhshme. Në atë moment donin që toka të hapej dhe të zhdukeshin në të”