Atletico Madrid ka arritur një kualifikim të madh mbrëmjen e sotme kundër kampionëve në fuqi, Liverpoolit në Champions League, pas fitores 3-2 në kohën shtesë dhe me rezulatin e përgjithshëm 4-2 përfshirë dhe takimin e parë. “Los Colchoneros” kanë arritur të tregojnë shpirtin e tyre luftarak, që Simeone e ka instaluar që në ardhjen e tij në krye të kësaj skuadre. Ndeshja e parë kishte përfunduar me avantazhin minimal të skuadrës madrilene (1-0) dhe në këtë mënyrë ata vinin më të qetë dhe me ide të qarta.

Anglezët arritën të zeronin avantazhin e bardhekuqve në minutën e 43-të me një gol të Vinjaldum, i cili mori një kros nga Chamberalane në të djathtë dhe lëshoi një goditje perfekte me kokë, aq sa për të mposhtur Oblak. Edhe në pjesën e dytë Liverpuli është treguar më i organizuar dhe ka arritur të kontrollojë lojën, por Atletico është ishte një skuadër hermetike dhe ka arritur ta çojë ndeshjen në shtesë edhe falë aftësive të jashtëzakonshme të Oblak.

Shtesa prej 30 minutash ka qenë pjesa më e bukur e kësaj ndeshje. Me fillimin e saj Firminjo ka arritur të shënojë dhe të dërgojë në delir gjithë tifozët në “Anfield Road”. Sulmuesi ka lëshuar një goditje identike më atë të Vinjaldum te goli i parë, por topi ka përfunduar në shtyllë dhe është dashur një goditje e dytë e tij për të çuar shifrat në 2-0.

 

Dy golat e pësuar zgjojnë “përbindëshin” Markos LLorentes, me mesfushorin që shënon dy gola të shpejtë dhe përmbys një ndeshje të çmendur. Në golin e parë madrilenët përfitojnë nga një gabim elementar në pasim të portierit Adrian, me sferën që përfundon në këmbët e Feliks, i cili pason për Llorente. Mesfushori nuk mendohet, por lëshon një predhë në hyrje të zonës dhe topi përfundon pas shpinës së Adrian.

Pa u mbyllur pjesa e parë e shtesës është përsëri mesfushori i ardhur nga Reali këtë verë, që vulos kualifikimin me një tjetër kryevepër nga jashtë zonë. Këtë herë është Morata që shërben nga e djathta për të. LLorente bën një lëvizje mashtruese dhe shënon në cepin e djathtë të Adrian. Për t’i vënë kapakun kësaj ndeshje të paharrueshme mendoi Morata, i cili shënoi dhe fiksoi shifrat në 2-3 dhe kapitullimin e Liverpulit, që këtë sezon do të duhet të mjaftohet me triumfin në Premier Ligë.