Del video/ Si i shpëtoi 45-vjeçari atentatit me 30 plumba

Pamjet që shihni tregojnë momentin e atentatit ndaj 45-vjeçarit dje në Milot.

Sipas informacioneve të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme në qendër të qytetit të Milotit, ndërsa objekt i sulmit me armë ishte shtetasi Ylli Ibrahimi 45-vjeç.

Ndaj tij është qëlluar me breshëri plumbash sapo ka dalë nga një lokal dhe autorët, sipas të dhënave, ishin dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me një motor. Ata dyshohet se e kanë vëzhguar 45-vjeçarin dhe personi që qëndronte i ulur në vendin mbrapa motorit, ka qëlluar 30 herë në drejtim të shënjestrës dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sipas burimeve, vetëm një nga plumbat ka prekur Ibrahimin, në pjesën e këmbës dhe është dërguar për trajtim të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku dhe i është nënshtruar edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Dyshimet janë se atentati ka ardhur pas një konflikti mes Ylli Ibrahimit dhe autorëve, por ngjarja po hetohet edhe në pista të tjera.

Ylli Ibrahimi nuk rezulton të jetë person me precedent penal. Momentin kur ka ndodhur ngjarja, në rrugë ka pasur shumë qytetarë në rrugë. Breshëria e armës ka krijuar frikë dhe panik te qytetaret, të cilët thonë se fillimisht nuk e kuptuan çfarë ndodhi.

“Unë isha duke blerë te dyqani këtu në qendër. Dëgjova krisma arme pa ndërprerje dhe dola menjëherë dhe të them të drejtën u frikësova. Në moment dola jashtë dhe pashë çfarë po ndodhte. Kur pashë një person që ishte në trotuar i gjakosur, por pata frikë të afrohem. Aty u mblodhën njerëz dhe e vunë në një makinë dhe e dërguan për në spital. Ndërsa personat që e kanë qëlluar janë larguar me një motor nga vendi i ngjarjes. Aty më pas erdhi Policia dhe u bënë grumbull”, tregoi një qytetar.