Deklaratë solidare e Albin Kurtit: Ditë e rëndë për kombin tonë

0
Albin Kurti: Thaçi po ndihmon Putinin të kthejë ndikimin në ballkan

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, që pritet të bëhet dhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, shprehet se i gjithë populli kosovar është vënë në ndihmë të vëllezërve shqiptarë, të goditur nga tërmeti katastrofik.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Kurti shkruan se kosovarët kanë mbledhur ndihma, barna, mjekë e infermierë dhe i kanë nisur drejt Shqipërisë me kamionë e ambulanca.

“Ditë e rëndë për kombin tonë, ditë kur të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë.

Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri. Unë i shpreha solidaritetin tonë presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, si dhe kryetarit të PD-së, kurse zyrtarë të Lëvizjes kanë kontaktuar me ministrat, kryetarët e shtabeve të emergjencës, duke ofruar ndihmën tonë.

Qysh prej orëve më të para të mëngjesit secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar. Secili aktivist tash është vullnetar. Kemi mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme, po ashtu edhe mjekë e infermierë vullnetarë. Kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen. Bashkë, forcojmë njëri-tjetrin”, shkruan Kurti.