Lëkundet stoli i Zinedine Zidane

Në karrierën e tij të shkurtër si trajner Zinedine Zidane është përballur vazhdimisht me rrezikun e shkarkimit, sidoqoftë kohët kalojnë dhe 48-vjeçari francez e gjen veten shpejt pak a shumë në po të njëjtën situatë.

Kur gjërat nuk shkojnë mirë te një klub si Reali i Madridit, harrohen shpejt arritjet dhe sukseset, e pothuajse gjithmonë faturën e dështimit e paguajnë trajnerët.

Kohë për të reflektuar nuk ka pasi “El clasico” është fare pranë, kështu që e vetmja gjë që i kërkohet trajnerit me origjinë algjeriane është të evitojë humbjen në “Camp Nou”, për të fituar në këtë mënyrë kohën e domosdoshme që i nevojitet. Më pas një rezultat pozitiv mund të mjaftojë për të qetësuar ambientin e trazuar në “Casa Blanca”, duke i dhënë në vazhdim edhe besimin e duhur 48-vjeçarit marsejez, për të shpëtuar barkën e skuadrës “merengues” nga mbytja.

Për hir të së vërtetës një krizë e tillë nuk pritej kaq shpejt, duke marrë parasysh faktin që “Los blancos” përfaqësojnë kampionët në fuqi, në Primera Division. Sezoni i kaluar ishte i veçantë dhe tepër i ngjeshur, për shkak të pandemisë së koronavirusit, por mbi të gjitha ishte edhe një edicion shumë i vështirë, ku Reali i Madridit diti të përfitojë në maksimum nga gabimet në seri të Barcelonës, për të koleksionuar përveç titullit në ligë edhe trofeun e Superkupës së Spanjës. Zgjedhjet e çuditshme të Zizusë në formacion janë diskutuar vazhdimisht në shtypin spanjoll, sidoqoftë gjërat nuk është se nisën mirë që në start për të.

Barazimi pa gola me Sociedad-in në “San Sebastian” u shoqërua nga një sukses me doza të theksuara fati ndaj Betis-it në “Benito Villamarin”, ndërsa më pas “Los blancos” mundën minimalisht dhe me shumë vështirësi Valladolid-in në kryeqytet. Të vetmen fitore me më shumë se një gol diferencë Reali e ka siguruar ndaj Levantes në Valencia, ndërsa më pas gjithçka u përmbys në harkun e vetëm pesë ditëve. Me Cadiz-in e sapongjitur nga Segunda Division Reali u mund në shtëpi, duke goditur vetëm dy herë portën gjithsej, ndërsa me Shakhtarin ndonëse ekipi ukrainas kishte plot 10 futbollistë me Covid skuadra “merengues” u rrëzua brenda në “Alfredo di Stefano”, duke koleksionuar kështu tre humbje radhazi në kompeticionin më të rëndësishëm të Kupave të Evropës për herë të parë që nga shtatori i vitit 1986.

“Los Blancos” u fundosën në mënyrë të habitshme me tre gola që në pjesën e parë dhe sa për statistikë në Champions klubi i famshëm madrilen kishte plot dy dekada, pra që nga shkurti i vitit 2000, që nga disfata 4-2 me Bayernin e Mynihut, që nuk pësonte tre gola që në fraksionin hapës. Në mesjavë mungoi Sergio Ramos dhe prania e 34-vjeçarit andaluazian në “El clasico” mbetet në dyshim. Sergio Ramos është stërvitur në mënyrë të diferencuar, sidoqoftë numri 4 është i domosdoshëm e në njëfarë mënyre mbetet edhe simboli i këtij Reali, duke patur parasysh që “Los blancos” kanë humbur 7 nga 8 sfidat e fundit kur ka munguar kapiteni.

Pas ndeshjes në dhomat e zhveshjes zbriti për pak minuta edhe vetë Presidenti Florentino Perez, ndërsa trajneri Zinedine Zidane e mbajti skuadrën për plot një orë, për të sqaruar situatën. Një ditë pas humbjes gazeta e përditshme spanjolle Marca u hap me titullin “Çdo ditë e më keq”, gjithsesi për momentin 48-vjeçari francez i ka marrë të gjitha fajet përsipër. Për hir të së vërtetës Zizuja i konsideroi si të panevojshëm futbollistë të tillë, si Achraf Hakimi, Brahim Diaz, Oscar Rodriguez, Gareth Bale, Sergio Reguilon, James Rodriguez, Takefusa Kubo, Reinier, Dani Ceballos apo dhe Borja Mayoral.

Sikur të mos mjaftonte kjo Zidane nuk do të ketë në “El clasico” për arsye dëmtimi emra si Daniel Carvajal, Eden Hazard, Martin Odegaard, ndërsa Alvaro Odriozola vazhdon të ketë probleme fizike. Nëse më herët ishin Jose Mourinho dhe Carlo Ancelotti që i dhanë formën përfundimtare skuadrës “merengues”, tani formacioni mban vulën e Zizusë, që shpenzoi plot 352,5 milionë euro sezonin e kaluar për të përforcuar ekipin. Në shtypin spanjoll po flitet gjithmonë e më shumë për ish-sulmuesin e famshëm Raul, që drejton Real Castilla-n, e mes ish-kapitenit dhe trajnerit francez është lakuar gjithashtu edhe emri i argjentinasit Mauricio Pochettino, kështu që skuadra apo qoftë edhe vetë trajneri Zinedine Zidane kanë thjesht katër ditë kohë, pra sfidat me Barçën dhe Gladbahun për të shmangur një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, që natyrisht mund të lërë pasojë deri në atë pikë sa për të ndryshuar edhe timonierin e ekipit.