Çfarë janë variçet ose në gjuhën mjekësore venat varikoze?

Variçet, ose në gjuhën mjekësore venat varikoze, janë një çrregullim i venave që paraqitet me zgjerim dhe përdredhje të tyre.

Në përgjithësi me fjalën variçe apo vena varikoze kuptojmë sëmundjen që prek venat sipërfaqësore të këmbëve pasi këto janë shumë të shpeshta, por vena varikoze zhvillohen edhe në ezofag dhe stomak, në sipërfaqen e brendshme dhe të jashtme të barkut, apo në zorrën e trashë në sëmundje të tjera të organizmit.

Për ta specifikuar pyetjen atëherë, ç’janë variçet e këmbëve, kur dhe pse shfaqen ato?
Venat varikoze të këmbëve janë sëmundja më e shpeshtë e enëve të gjakut. Ato prekin rreth 40% të popullatës dhe variojnë nga format më të lehta deri tek më të komplikuarat. Arsyeja e vërtetë e shfaqjes nuk është zbuluar. Mendohet se është një defekt i lindur i fortësisë së murit të venave, por faktorë predispozues janë profesionet me qëndrim të zgjatur në këmbë, mbipesha dhe tek femrat lindjet e shumta. Fatkeqësisht shfaqja e venave varikoze nuk mund të parandalohet. Në disa njerëz ato fillojnë të shfaqen që në moshë shumë të re, ndërsa tek disa më pas.

Cila është grupmosha më e prekur nga kjo sëmundje?

Sëmundja e venave varikoze fillon gradualisht që në moshë të re. Si rregull nuk ka variçe në fëmijëri dhe janë shumë të rralla rastet kur ato shfaqen në adoleshencë. Venat varikoze fillojnë në moshë të re dhe shtohen me rritjen e moshës. Mund të quhet një sëmundje e të rriturve (adultëve). Tek femrat ato zakonisht bëhen të dukshme pas shtatëzanisë së parë.

Kur dhe si duhet të trajtohen venat varikoze?

Pacientët shpesh pyesin a është urgjente trajtimi në këtë moment apo mund ta shtyjë? Kjo pyetje nuk ka përgjigje. Ne nuk mund ta dimë se kur do të ndodhë komplikimi. Venat varikoze duhet të trajtohen pa ndodhur ai. Në përgjithësi, trajtimi nuk është urgjent, por nuk ka asnjë arsye dhe as mënyrë për të parashikuar shtyrjen e tij. Mënyrat e trajtimit janë shumë dhe varen në radhë të parë nga vena e dëmtuar, përmasat dhe pozicioni i saj, shkalla e përhapjes dhe madhësia e variceve, por edhe nga preferencat e pacientit.

Ekzistojnë metoda të thjeshta dhe pak të kushtueshme dhe metoda më komplekse, më invasive, por edhe më të kushtueshme. Disa metoda janë më radikale pra premtojnë rezultat që zgjat më shumë në kohë, të tjera janë më konservative dhe kanë nevojë për seanca të përsëritura herë pas here. Disa realizohen në shumë pak kohë dhe nuk detyrojnë shkëputje nga aktiviteti i përditshëm apo nga puna, të tjera janë operacione kirurgjikale që kanë periudhën e tyre të rehabilitimit prej disa javësh. Gjithsesi, asgjë nuk mund të thuhet përpara një vlerësimi të pacientit me Eko Doppler, apo eko me ngjyra siç njihet në popull. Ky është i vetmi ekzaminim që sqaron shkallën e zhvillimit të sëmundjes dhe karakteristika të saj që përcaktojnë mënyrën më të mirë te trajtimit.