Britania ndjek Italinë: Paketë 30 miliardë paundësh për ekonominë

Britania e Madhe pritet të kalojë recesionin më të thellë të treqind viteve të fundit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Banka qendrore parashikon rimëkëmbjen pas gjashtëmujorit të dytë nëse lehtësohen masat e karantinës. Strategjia e rihapjes ekonomike pritet të shpallet të dielën.

Banka e Anglisë paralajmëron se ekonomia britanike mund të tkurret deri 14 për qind këtë viti si pasojë e efekteve të pandemisë, recesion ky që do të ishte më i thelli në më shumë se tri shekuj.

Këshilli mbikëqyrës informoi të enjten se kriza me koronavirusin do të prodhojë në gjashtëmujorin e parë të vitit një rënie në nivelin 30 për qind të prodhimit të brendshëm.

Përmirësime të mundshme mund të vërehen në gjashtëmujorin e dytë të 2020-ës, në varësi të rikthimit të aktivitetit ekonomik e gradualisht edhe të jetës së qytetarëve në një normalitet të ri.

“Pandemia Covid-19 po ul në mënyrë dramatike numrin e vendeve të punës dhe të ardhurat. Si rezultat i masave të distancimit social që aplikohen kundër saj, shumë biznese nuk arrijnë të prodhojnë ose t’i shesin produktet dhe shërbimet e tyre, ndërsa konsumatorët po ashtu kanë ulur fort shpenzimet. Me heqjen e këtyre masave, ekonomia do rimëkëmbët,” njoftoi banka qendrore e vendit.

Qeveria britanike parashikon që masat e izolimit social të lehtësohen duke nisur nga java e ardhshme.

Strategjia e rihapjes pritet të bëhet e njohur të dielën nga kryeministri Boris Xhonson.

Në vend janë konfirmuar mbi 200 mijë bartës të koronavirusit dhe më shumë se 30 mijë persona që kanë humbur jetën nga sëmundja infektive.

Një ditë më parë, opozita kritikoi kryeqeveritarin Xhonson se vonesat e tij në vendimmarrje kanë rezultuar tragjike, duke prodhuar tashmë bilancin më të lartë të viktimave se në çdo shtet tjetër europian, edhe pse pandemia atje shpërtheu më vonë.