Britania ndjek Italinë: Paketë 30 miliardë paundësh për ekonominë

Mbretëria e Bashkuar ka shpalosur paketën 30 miliardë paund, për të ndihmuar ekonominë, në mënyrë që të kalohet sa më lehtë situata e krijuar nga koronavirusi.

Kancelari Rishi Sunak, e ka prezantuar ditën e sotme këtë paketë.

BBC raporton se shteti do të lehtësojë taksat për bizneset, do të shtojë ditët e pagesës për personat e sëmurë dhe do të caktojë fonde shtesë për shërbimin shëndetësor.

 

Sunak tha se do të ketë problematika të përkohshme për ekonominë, por u zotua se “do ta kalojmë këtë gjë sëbashku”.

Nga ana tjetër, Banka e Anglisë, ka bërë një ulje emergjence të normave të interesit.

“Ne po bëjmë gjithçka mundemi, për ta mbajtur vendin dhe qytetarët tanë të shëndetshëm dhe të sigurtë financiarisht”, tha kancelari përballë deputetëve.

Në Mbretërinë e Bashkuar janë prekur nga koronavirusi 382 persona dhe kanë ndërruar jetë gjashtë persona.