Qeveritë e Eurozonës dhanë miratimin e tyre përfundimtar të premten për pjesën e parë të një plani shpëtimi prej 540 miliardë eurosh për shtetet e goditura fort nga pandemia e koronavirusit, megjithëse për elementët e tjerë të paketës së shpëtimit nuk janë akoma dakordësuar, njofton Reuters.

Ministrat e financave të 19 shteteve të  rajonite nënshkruan detajet e linjave me çmime të ulëta dhe afatgjata të kredisë që do të vihet në dispozicion nga Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM), fondi i shpëtimit i bllokut, për vendet që kanë nevojë për para për të mbuluar kostot e jashtëzakonshme shëndetësore shkaktuar nga shpërthimi.

“Duke reflektuar natyrën e jashtëzakonshme të krizës, ne kemi rënë dakord për kushte të favorshme dhe adekuate financiare,” tha kryetari i takimit, Mario Centeno, pas mbledhjes në internet.

Sidoqoftë, ishte e paqartë nëse paratë do të përdoren nga Italia, vendi që ka më shumë nevojë për kredi, për shkak të kostove të larta të shërbimit të borxhit dhe ashpërsisë së epidemisë atje, i cila ka vrarë më shumë njerëz sesa në çdo shtet tjetër evropian krahas Britanisë.

Megjithë garancitë e përsëritura se paratë do të rridhnin pa shtojca bashkangjitur, shumë deputetë në Lëvizjen e 5 Yjeve në Itali, partisë më të madhe në koalicionin qeverisës atje, mbeten kundër përdorimit të kredive të Mekanizmit Evropian të Stabilitetit nga frika se masa shtrënguese mund të vendosen për vendin e tyre.

Ky Mekanizëm, që luajti një rol kryesor në shpëtimin e Greqisë, Qipros, Irlandës, Spanjës dhe Portugalisë gjatë krizës së borxhit të dekadës së fundit në zonën e euros, do të ofrojë linja kredie me vlerë 2% të produktit të brendshëm bruto të vendit, duke kërkuar deri në 240 miliardë euro (260 miliardë dollarë) për të gjithë rajonin.

Kreditë do të vihen në dispozicion në javët e ardhshme, në pritje të miratimeve procedurale, dhe deri në fund të vitit 2022.

Ata do të kenë një maturim 10-vjeçar dhe do të jepen me normat shumë të ulëta të interesit nga ESM kur lëshon borxh të ri, plus tarifa të vogla dhe marzhe me vlerë rreth 0.3% të shumës së disbursuar.

Mekanizmi Evropian i Stabilitetit është në gjendje të pranojë norma negative mbi obligacionet eveta, ndërsa Italia aktualisht po paguan gati 2% për borxhin e saj të ri.

Shtetet do të jenë në gjendje të shpenzojnë paratë e huazuara “për të mbështetur financimin e brendshëm të kostove të drejtpërdrejta dhe indirekte të kujdesit shëndetësor, kurimit dhe parandalimit për shkak të krizës COVID-19”, thanë ministrat në një deklaratë të përbashkët.

Punë e papërfunduar

Mekanizmi Evropian i Stabilitetit është vetëm një nga mjetet që qeveritë e BE-së kanë konsideruar të merret me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia, e cila parashikohet të bëjë që PBB-ja e zonës së euros të tkurret me një rekord 7.7 përqind këtë vit.

Vendet duhet të përfundojnë dy pjesë të tjera të paketës së shpëtimit, në vlerë prej 300 miliardë eurosh të kombinuara: një skemë e përkohshme për mbështetjen e punësimit dhe një fond garancie që do të sigurojë likuiditet për kompanitë e goditura nga kriza. Marrëveshjet përfundimtare për këto mjete priten në fund të muajit.

Shumë më e vështirë duket të jetë krijimi i një fondi të rimëkëmbjes i cili mund të jetë me vlerë 1 trilion euro dhe që mund të sigurojë grante dhe kredi për t’i ndihmuar shtetet të ringjallin ekonomitë e tyre pas krizës.

“Ne jemi vërtet në një udhëkryq. Ose ne jemi në gjendje të kemi një përgjigje të fortë të përbashkët, ku nuk jemi akoma ose i gjithë projekti është në diskutim,” tha të premten komisari i ekonomisë së BE, Paolo Gentiloni, duke bërë thirrje për themelimin në vjeshtë të një fondi të veçantë të rimëkëmbjes.

Vendet mbeten të ndara për mënyrën e funksionimit të këtij fondi dhe nëse ai  duhet të lëshojë edhe grante përveç kredive, me Holandën që drejton një grup që kundërshton idenë e granteve.