Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar sot naftëtarët dhe punonjësit e Poçemit, të cilët janë prej ditësh në një greve urie.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se PD dhe ai vetë do jenë zëri i naftëtarëve në këtë betejë të drejtë të tyre.

Më tej numri një i opozitës shprehet se naftëtarët janë tradhtuar dhe keqtrajtuar nga qeveria. Për Bashën grevistët janë viktimat e Edi Ramës, sepse janë qytetarë të ndershëm që luftojnë për mbijetesë dhe një jetë normale.

“Mbështetje pa kusht për punëtorët dhe kërkesat e tyre! Ata janë tradhtuar, dhe keqtrajtuar nga qeveria. Viktimat e Edi Rames janë njerëzit e thjeshtë, qytetarët e ndershëm shqiptarë që luftojnë për mbijetesë dhe një jetë normale.

Në këtë betejë unë dhe Partia Demokratike do jemi zëri juaj, do jemi mbështetja juaj. Beteja juaj është beteja e çdo shqiptari, ne do të na keni në krah deri në plotësimin e kërkesave tuaja të drejta. Ju jap fjalën se do ti zhbëj të gjitha padrejtësitë ndaj jush. #PoTëDëgjoj”, shkruan Lulzim Basha.

Që prej ditës së djeshme, naftëtarët e Ballshit dhe punonjësit e nënstacionit të Poçemit kanë përshkallëzuar aksionin e tyre, pasi kanë vendosur të mos pijnë as ujë.

Ata shprehen të vendosur se duan pagat e prapambetura ose do të ketë viktima. Kjo grevë urie ka sjellë edhe reagime nga ana e opozitës dhe e Avokatit të Popullit.