Basha: Në mes të dimrit ka akoma banorë që jetojnë në çadra

Një muaj e gjysëm pas tërmetit, banorët e Durrësit nuk kanë marrë akoma bonusin e qerasë, ndërkohë që 8.5 milion euro kanë përfunduar në xhepat e qeveritarëve vetëm për afera e korrupsion, me zero shërbime të check up-it.

Sot u takova me banorë të Durrësit të cilët kanë paguar para për dokumente e kanë hapur numra llogarie në banka, por nuk u ka kaluar asnjë lek për të paguar qeranë.

Banorët janë detyruar të marrin borxh ndërsa edhe sot një muaj e gjysëm pas tërmetit, askush prej tyre nuk e ka të qartë sesi do të veprohet për riparimin e dëmeve, apo si do të zgjidhet problemi i strehimit për qytetarët e mbetur pa shtëpi.

Në mes të dimrit, me qindra familje jetojnë ende në çadra apo makina.

Dështimi dhe paaftësia e shtetit po iu kushton shtrenjtë qytetarëve që po përballen edhe me probleme shendetësore për shkak të kushteve ku po jetojnë.

Dhe e gjitha kjo, vetëm për të mos u prekur paratë që shkojnë në xhepat e dhjetë oligarkëve. Me 150 milion dollarë që shkojnë për ta, sot do ishin akorduar fondet për strehimin e banorëve dhe do kishte nisur puna për riparimin e banesave të dëmtuara.