Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u prit në një takim nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku në bisedën e tyre u fol edhe për taksën e Rrugës së Kombit. Në konferencën për mediat, Hoti zbuloi premtimin që i kishte dhënë Basha për heqjen e taksës si një prej gjërave të para që do bëjë nëse do të vijë në pushtet.

“Kemi ndarë të gjitha shqetësimet që duhet ti adresojmë si dy shtete për rrugën e Kombit dhe kam zotimin e Bashës se ajo taksë do të hiqet”, u shpreh Hoti.

Kryedemokrati e konfirmoi duke thënë se heqja e taksës do të ndikojë tek përmirësimi i turizmit dhe do të sjellë një numër më të madh turistësh, ndaj vendimi i parë i qeverisë së tij kur të vijë në krye të vendit mbetet çështja e Rrugës së Kombit.

“Premtimi im qëndron. Do të jetë një ndër vendimet e para të qeverisë së ardhshme, heqja e taksës së rrugës së Kombit, sikundër i kam premtuar kryeministrit Hoti. Bëjmë gjithçka për të ndihmuar sadopak turizmin në këtë botë të vështirë. Sot paradite kam qenë në Velipojë, gjatë gjithë javës kam shëtitur në vijën bregdetare dhe kam parë me sytë e mi situatën shumë të rëndë të operatorit turistik që përbën ¼ e ekonomisë shqiptarë.

Të vetmit turistë që kam takuar janë nga Kosova. Në këtë kuadër, shpresoj që me bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës do të mundësojmë që të kemi numër më të madh turistësh nga Kosova në plazhet tona të bukura veçanërisht në këtë kohë të nxehtë. Ka shumë punë që duhet bërë nga ana jonë, që nga siguria rrugore, infrastruktura, çmimi i lartë i karburantit. Këto janë çështje që nuk i korrigjoj dot sot, por një nga vendimet e para do të jetë heqja e taksës së Rrugës së Kombit”, tha Basha.