Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka nisur ditën e sotme me një mesazh për të gjithë mjekët dhe infermierët e infektivit, tashmë të kthyer në një karantinë.

Një mesazh falenderimi, për heronjtë siç edhe kryedemokrati i quan, që po rrezikojnë jetën dhe familjarët e tyre për të dalë fitues në këtë betejë me armikun e “paftuar”. Ky reagim vjen pas fotos së publikuar ditën e djeshme nga disa mjekë, të cilët kërkonin nga njerëzit që të mos i shohin çuditshëm.

“Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të shëndetësisë kudo në Shqipëri dhe personeli i Spitalit Infektiv në Tiranë!

Jeni heronjtë tanë! Mendja dhe zemra e çdo shqiptari është me ju! Zoti ju dhëntë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë sfidë që kemi përpara! Në këto kohë ju nuk jeni vetëm prindër, bashkëshortë, bijë e bija, motra dhe vëllezër të familjarëve tuaj, por të të gjithëve ne bashkqytetarëve tuaj.

Mirënjohje të thellë kombëtare për secilin prej jush! Askush nuk ju sheh çuditshëm, e gjithë Shqipëria ju sheh me admirim për punën dhe përkushtimin tuaj! Zoti ju bekoftë ju dhe të afërmit tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, shkruan Basha.