Basha i përgjigjet sërish Ramës: Është momenti të veprohet, ky është plani që propozojmë ne

0

Lulzim Basha ka zhvilluar një vizitë pranë banorëve të prekur nga tërmeti në fshatin Bubq ku është njohur nga afër me situatën shqetësuese të tyre për shkak të dëmeve të mëdha që janë shkaktuar ndërsa ka bërë edhe një apel ndaj qeverisë.

Duke iu përgjigjur ftesës së kryeministrit Rama për bashkëpunim në menaxhimin e situatës, sipas Bashës gjendja është emergjente dhe për këtë propozon një plan me 3 pika duke e konsideruar se tani është momenti të veprohet me shpejtësi dhe për këtë qëllim.

Statusi i plotë:

Sot pashë nga afër gjendjen e rënduar në Bubq, ku shumica e shtëpive kanë pësuar dëme dhe shumë prej tyre janë të pabanueshme. Me qindra qytetarë kalojnë netët jashtë prej një jave pa asnjë siguri nëse mund të futen në banesat e tyre.

Fatmirësisht kjo situatë e rëndë u mbyll pa viktima ne këtë zonë. Por gjendja vazhdon të rëndohet për ta dhe për mijëra familje në të tre qarqet e goditura Durrës, Tiranë dhe Lezhë.

Ajo që duhet bërë tani është të ndërmerren urgjentisht një seri veprimesh konkrete dhe të mirëkoordinuara për të siguruar njerëzit, dhe për të nisur sa më parë rindërtimin e banesave.

Tani është momenti të veprohet me shpejtësi dhe për këtë qëllim ky është plani që ne propozojmë:

1. Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht, me qëllim për të përshpejtuar vlerësimin e banesave. Kjo kontribuon për qetësimin e gjendjes dhe sigurimin e jetës së qytetarëve.

2. Vlerësimin me urgjencë të banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara.

3. Qeveria në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të anullojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’ju dhënë 10 oligarkëve, dhe këto fonde t’u akordohen mijëra familjeve në nevojë, për riparimin dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara apo të shkatërruara.

Reagimi i shpejtë për të vlerësuar dëmet, dhe lëvrimi i fondeve për riparim dhe rindërtim do të ndihmojë në tejkalimin e traumës dhe rikthimin në normalitet.