Fushata elektorale e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit ka marrë udhë. Tendenca dhe “merkato” e pazakontë elektorale që po ndodh në këto ditë, tregon edhe tendencën se ku po fokusohet realisht fushata e Rilindjes së Ramës. Ajo është kryekëput ndaj LSI-së, asaj partie që jo pak vitë më parë e kishte në pushtet, pastaj e krahasoi me Shpk, duke theksuar se ishte e keqja e këtij vendi. Dhe tani, nga mëngjesi në darkë po blen “lojtarët” e kësaj Shpk për të marrë mandatin e tretë qeverisës.

Pikërisht, kjo i duhet Ramës të marrë në pushtet ata që nuk i ka lënë pa i thëne  soj e sorollope gjatë gjithë diskursit politik të tij në pushtet. Moralisht bie kauza e qeverisë, por kush pret moral nga Rama do ngjasojë me “pritjen e Godosë”. Po Basha? Basha është në momentin e tij më të mirë politik, pasi ka mundësi që të ulet në karrigen e kryeministrit. Por, më parë Basha duhet të jetë strategu më i mirë, të pakten për 3 muaj. Fronti i Luftës është midis PS- LSI ndërsa Basha mund të jetë fitimtar i kësaj lufte.

Partia Demokratike ka mundësinë që të bëjë një fushatë më pak luftuese por më shumë të zgjuar. E gjithë vëmendja kalon tek merkato për PS-n ndaj LSI, ndërsa Basha mund të punojë në qetësi duke rritur votuesit  dhe duke pasqyruar e dalluar nga qeveria, pa shumë mund.  E njëjta strategji është ndjekur në 2013 nga LSI kur mitingjet elektorale, përballjet dhe Fronti i Luftës ishte Rama- Berisha, Meta punoi në fshehtësi për të arritur 17 deputetë dhe një rritje eksponenciale.

Basha e ka metodikën, po i jepet mundësia edhe nga Rama, që realisht mendon se pushteti do përcaktohet nga votat e LSI-së, që të arrijë të implementojë një strategji suksesi. Dhe këtë Basha e ka kuptuar. Udhëzimi që doli ishte, jo debate, jo përballje të fortë, por takime dhe dëgjime problematikash. A do te funksionojë? Këtë mbetet për ta parë, por mundësia është.