Banorët e Astirit i bllokojnë rrugën Kryeministrit Rama

Banorët e Astirit i kanë bllokuar rrugën kryeministrit Edi Rama në këtë zonë.

Rama ishte nisur për tek fabrika Miell Tirana, por rruga për aty është bllokuar nga banorët.

Bllokimi i rrugës ka sjellë dhe disa përplasje me drejtuesit e mjeteve, të cilët iu bjenë borive, dhe kërkojnë që të kalojnë, pavarësisht rezistencës së banorëve.

Tensionet nuk kanë munguar dhe mes banorëve dhe efektivëve të policisë, ku disa prej qytetarëve kanë hedhur vezë në drejtim të punonjësve të policisë.

‘’Ju doni të vidhni, kemi 7 muaj që nuk na dëgjon njeri. Anulloni projektin dhe ne ikim, a keni familje ju”, shprehet një prej banoreve në drejtim të punonjësve të policisë.

Një prej përfaqësuesve të policisë insiston se protesta është e paligjshme, i frymëzuar padyshim dhe nga ndryshimet në Kodin Penal, ku bllokimi i rrugëve me propozim të kryeministrit Edi Rama mund të sjellë dënimin me 3 vite burg.