Policia ka zbardhur ngjarjen që terrorizoi banorët në Vlorë dhe Selenicë ku pesë persona visheshin si efektivë dhe tentonin të grabisnin disa banesa. Pesë autorët që kanë rënë në pranga janë identifikuar si Endrit Sinaj, Enerik Meçaj, Alfred Shametaj, Lulzim Elmazaj dhe Ervin Dhima.

Në cilësinë e provës materiale u sekustruan dy automjete, tre aparate celularë dhe prova të tjera materiale, ndërkohë që po punohet për gjetjen e armës me të cilën kryenin vjedhje.

Një ditë më parë, vëllezërit Caushaj që kanë rënë pre e grabitjeve folën për Fax News dhe thanë se njërin prej grabitësve e kanë njohur, pasi është banor i zonës, ndërsa të tjerët kanë qenë shok të tij. Të dielën grabitësit kanë shkuar me armë, dhe i kanë terrorizuar duke u thënë se ishin Policia e Shtetit, dhe me armë kanë hyrë për të kontrolluar në banesë, duke shkaktuar frikë te familjarët.

Njoftimi i policisë: Zbardhet në kohë rekord tentativa për vjedhje në fshatin Kropisht, Selenicë. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale identifikohen, lokalizohen dhe arrestohen pesë autorët e dyshuar të ngjarjes.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 2 automjete. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për gjetjen e armës me të cilën autorët do kryenin vjedhjen.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në fshatin Kropisht, Selenicë, ku persona të maskuar dhe të armatosur, duke u prezantuar si punonjës policie, kanë tentuar të vjedhin nën kërcënimin e armëve në banesën e shtetasit F. C., menjëherë, pas marrjes së informacionit për ngjarjen e ndodhur, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta profesionale dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj pronës në DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe ata Stacionit të Policisë Selenicë u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje dhe menjëherë u organizua puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Si rezultat, në Selenicë dhe në Vlorë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i pesë autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht:

A. Sh., 31 vjeç, L. E., 29 vjeç, E. S., 26 vjeç, E. M., 34 vjeç, banues në Selenicë dhe E. Dh., 39 vjeç, banues në Vlorë.

Në cilësinë e provës materiale Policia ka sekuestruar dy automjete, automjetin e markës “Benz” me të cilin u larguan autorët dhe automjetin e markës “Nissan” me të cilin udhëtonte shtetasi A. Sh. në momentin e kapjes nga Policia, tre aparate celularë dhe prova të tjera materiale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje me armë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”