Aleksandër Biberaj: KÇK është propagandë dhe do të dështojë

Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike Aleksandër Biberaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për ligjin anti-KCK, u shpreh se është një nismë e vonuar, duke shtuar se do të dështojë.

Nisma vjen pas 7 vitesh. Është nismë tepër e vonuar, është vetëm propagandë. Aq më tepër që sekuestrohen pasuri që kanë qenë dikur. Ata grupe këtu kanë qenë/ Pronat e tyre kanë qenë të konfiskuara. Nuk ka nevojë të ndërhyjë policia, kur ke gjykata dhe Prokuroria. Kjo është lojë për të nxjerrë jashtë loje SPAK dhe reformën në drejtësi. Padyshim që goditja do jetë selektive. Unë e shoh iniciativë të dështuar. Unë jam kundër kriminelëve, por mënyra si po bëhet dhe kush e merr nismën, tregon se nuk do të ketë asnjë gjë të re. Aq më tepër që kemi lirim të anëtarëve të bandave. Nuk shoh vullnet, pasi nuk ka pasur në 7 vjet”, tha Biberaj.


Aleksandër Biberaj tha se Edi Rama është vetë krye-KCK-ja, duke nënvizuar se duhen goditur politikanët e korruptuar.

“Cdo shqiptar do hapje negociatash. Mirëpo po cdo qytetar e di situatën këtu. Situata është e rëndë dhe mendoj se është e vështirë hapja e negociatave. Nuk po goditet asgjë. Miliardat e PPP po i marrin ministrat, kryetarët e bashkive, ta nisë nga oligarkët që marrin miliona euro tendera në mënyrë të paligjshme. Duket si fasadë.  Publiku e ka të qartë se krye-KCK është Edi Rama. Kur shikoj se maxhoranca është palë me krimin, nuk besoj. Suksesi do të jetë kur të goditen politikanët e korruptuar. Goditja kryesore duhet të bëhet ndaj politikanëve. Kemi ardhur këtu për shkak të lidhjes të politikës me banditët. Në Shqipëri kriminelët hanë e pijnë me politikanë dhe kjo është alarmante”, u shpreh Biberaj.

Për Biberajn, SPAK e nisi punën mbrapsht, që kur ktheu dosjen e Dibrës.

“Është reformë që ka pasur shtrembërime dhe politizime. Gjithsesi ne do të duhet të ngremë institucionet. Duhet që gjykatat dhe Prokuroria duhet të jenë të pavarura. Maxhoranca ka tentuar që të fusë duart. Krijimin e SPAK edhe ne si opozitë e mbështesim e do i japim mbështetjen tonë politike e morale. SPAK e nisi me faull sepse ktheu dosjen e Dibrës. Por t’ia lëmë kohës, nëse do ta godasë krimin e organizuar dhe politikanët e korruptuar”, deklaroi Biberaj.

Më pas, Biberaj vlerësoi se opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, duke thënë se ambasadorët tashmë e kanë kuptuar opozitën e bashkuar edhe për aktin e djegies së mandateve.

“Ambasadorja patjetër do të mbrojë interesat amerikane. Për ne është e rëndësishme. Do të jetë mbështetëse për ne. Ne jemi treg i vogël. Ne kemi interes më shumë për Amerikën sesa ata për ne. Opozita ka marrëdhënie shumë të mira me ndërkombëtarët. Opozita ka marrëdhënie tepër të mira me ndërkombëtarët dhe na kanë kuptuar edhe kur dogjëm mandatet”, u shpreh Biberaj.

Aleksandër Biberaj tha se duhet një qeveri teknike përpara zgjedhjeve.

“Unë jam optimist. Aty është PS, jemi ne si opozitë. Mendoj se do të ketë bashkëpunim mes të gjitha palëve. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk janë magjike, por duhet vullneti. Kodi Zgjedhor hedh një hap drejt një vote të lirë, por prapë duhet vullneti dhe nuk dimë nëse do të ketë apo jo vullnet. Është cështje vullneti. Mendoj se duhet qeveri teknike para zgjedhjeve. Unë jam për protesta masive dhe revolte popullore. Askush nuk ta dhuron pushtetin falas, aq më tepër kur qeveria ka lidhje me krimin. Nëse nuk ka negociata, do ketë protesta. Protesta nis dhe zhvillohet. Populli duhet të revoltohet ndaj kësaj qeverisje të lidhur me krimin”, tha Biberaj.