Më të vjetrit, që qeveria Rama po pretendon se po i mbron nga koronavirusi, rrezikojnë të përfundojnë në spitale prej urisë dhe në mos më keq, të vdesin prej saj.

Rasti më flagrant që e shpalosin mediat është ai i një gruaje 84-vjeçare në Vlorë, e cila prej dy ditësh pi vetëm ujë me sheqer!!! Ajo nuk është lypëse, është një zonjë që deri dje jetonte me dinjitet me pensionin e saj të vogël, por që sot detyrohet të shprehet e revoltuar për shkak të urisë!

Asnjë ndihmë nuk ka hyrë në derën e saj! bashkia e Vlorës nuk e ka vrarë mendjen për mesazhin e ndihmës që ajo u shkroi me pafuqinë e saj, pensionin ajo nuk mund ta marrë dot.

“Unë jam 84 vjeçe. Jam vetëm fare, nuk kam as ndihmë, as gjë shtëpi. Po të na bien ndonjë pako makarona! Po pi ujë me sheqer! Çfarë bëhet kështu?!

Dhe do dal. Le të më marrin e të më fusin në burg, Policia, se unë po rri pa ngrënë.

I dërgova fjalë sekretares së Dritan Lelit, ajo nuk i vuri ujët në zjarr.

Kam dy ditë pa bukë, me ujë me sheqer. E piva mbrëmë, nuk më zinte gjumi! Ujë me sheqer. Të paktën të kisha një dorë makarona të bëja një supë. Unë s’mund t’i kërkoja lagjes. Ose të më japin pensionin dhe të iki.

Rama tha bëjeni në facebook, te “Shqipëria që e duam shumë, pikë al”. Po ku di unë të shkruaj atë?! Unë do të ikja pa u ngopur në gropë! Nuk po më zë as koronavirusi, se unë kam dalë!”