Zëri i Amerikës: Serbia ka angazhuar kompani lobimi kundra Kosovës

0
Zëri i Amerikës: Serbia ka angazhuar kompani lobimi kundra Kosovës

Zëri i Amerikës në gjuhën serbe raporton se qeveria serbe ka angazhuar kompaninë “Cleary Gottlieb Steen & Hamilton LLP” për të lobuar për të në Uashington.

Siç thuhet në një dokument zyrtar që është paraqitur në Sekretariatin amerikan për Drejtësi, më 29 mars, kompania do të lobojë për Serbinë “te të gjitha palët e interesuara në SHBA, në lidhje me çështje të caktuara të bashkëpunimit rajonal” që përfshijnë Serbinë dhe Kosovën.

Ky dokument, siç raporton Zëri i Amerikës, përfshin edhe kontratën midis kompanisë në fjalë dhe Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Serbisë.

Në ueb-faqen zyrtare, “Cleary Gottlieb Steen” prezantohet si kompani e jurisprudencës globale. Ajo ka zyra në disa vende të botës dhe është themeluar në vitin 1946.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, dhe prej atëherë thuhet se Serbia është angazhuar në një fushatë intensive lobimi kundër njohjes së saj dhe kundër pranimit të Kosovës në organizata dhe mekanizma të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë./