Vetëvritet me armë zjarri autori i dyshuar për vrasjen e kunatit

0

Ngjarje e rëndë në Korçë. Vret veten me arme zjarri shtetasi Sefedin Zenellari.

Burime bëjnë me dije se viktima është kunati i 57-vjeçarit, i cili dyshohet se u vra ditën e djeshme.

Sakaq mësohet se këtë mëngjes sapo policia shkoi në banesën e tij për ta shoqëruar në polici, ku do të merrej si i dyshuar për vrasjen e kunatit, viktima është mbyllur në dhomë dhe ka vrarë veten.

“Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr 7, ku u gjet i vrarë me armë zjarri tip pistoletë, shtetasi G.N, 57 vjeç informojmë se:

Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është kunati i tij shtetasi S.Z, 71 vjeç, banues në Korçë, i cili mëngjesin e sotëm në momentin kur shërbimet e Policisë kanë shkuar për ta shoqëruar në Komisariat, është vetëvrarë me armë zjarri tip pistoletë, në banesën e tij ku jetonte i vetëm.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

Mbrëmë 57-vjeçari Gramos Nako, baba i tre fëmijëve, është gjetur i vrarë në banesën e tij në Lagjen numër 7, në rrugën “Ismail Qemali” të këtij qyteti.

Trupi u gjet nga bashkëshortja dhe fillimisht u dyshua për një vetëvrasje, pasi fqinjët nuk kishin dëgjuar asnjë zhurmë.

Mirëpo, nga hetimet paraprake të oficerëve të Policisë dyshohet së në fakt kemi të bëjmë me vrasje.

Nako u gjet i ekzekutuar me armë zjarri nga bashkëshortja e tij, Natasha Nako. Çifti kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer nga Turqia, ku ndodheshin me pushime bashkë me fëmijët.

“Më datë 08.07.2019, në lagjen nr. 7, në banesë është gjetur nga bashkëshortja shtetasi G.N., 57 vjeç, i pajetë, i vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, bëhet e ditur zyrtarisht nga ana e Policisë së Korçës.

Pista e vetëvrasjes është përjashtuar nga konstatimi në vendin e ngjarjes i dy gëzhojave të një arme tip pistoletë.

Në bazë të dyshimeve të ngritura nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes, dyshohet se 57-vjeçari është vrarë në një tentativë për ta grabitur.