Tirana fiton në Laç dhe në javën e fundit i duhet vetëm 1 pikë

0
Tirana fiton në Laç dhe në javën e fundit i duhet vetëm 1 pikë

Tirana ia doli të fitojë në transfertën e vështirë të Laçit, një fushë ku nuk fitonte që prej vitit 2016, ndërsa sot mori një 3-pikësh të artë, falë triumfit me rezultatin 1-3.

Në Laç sfida nisi me mjaft vrull dhe pas vetëm 4 minutash lojë, Jorgji vërshëlleu 11-metërsh për Tiranën. Penalltinë e ekzekutoi Cobbinah, por goditja e tij u prit mjaft bukur nga Gentian Selmani.

Megjithatë goli ishte rrotull dhe vetëm dy minuta më vonë, ishte sërish Cobbinah që shërbeu mjaft bukur për Grecën në zonë dhe ky i fundit arriti të dërgojë topin në rrjetë.

Vetëm pak minuta më vonë gaboi Hoxhallari duke shkaktuar faull në zonë, ndërsa penalltinë për Laçin e ekzekutoi Ndriçim Shtubina, por edhe Ilion Lika u tregua në lartësinë e detyrës, duke grushtuar topin.

Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e dyfishtë të Tiranës, që në minutën e 36’ shënoi me anë të mesfushorit Cobbinah, që ishte nga më të mirët në takimin e sotëm.

Laçi e nisi pjesën e dytë me një tjetër ritëm, dhe arriti të rihapë takimin me anë të Ndriçim Shtubinës në minutën e 61-të, me shkodranin që shtyu në rrjetë një top të kthyer nga traversa e Ilion Likës.

Ndërkohë që loja bëhej e tensionuar dhe e ashpër, në minutën e 84-t pati vend për talentin e Edon Hasanit, që mori një top në pozicion të prirët me portën dhe bëri një gjuajtje fantastike, duke e çuar topin në trekëndëshin e Selmanit dhe duke dyfishuar avantazhin për bardheblutë.

Vetëm dy minuta më vonë, Tirana fitoi një tjetër 11-metërsh, të cilin këtë herë e mori përsipër Michael Ngo’o, por edhe goditja e anglezit u grushtua bukur nga kapiteni i Laçit. Kurbinasit bënë edhe disa tentativa në minutat e fundit, po pa arritur të ndryshojnë rezultatin.

Me këtë fitore, Tirana ruan diferencën prej dy golash nga Kastrioti dhe në ndeshjen e fundit të kampionatit ka nevojë për vetëm një barazim, që të sigurojë mbijetesën, ndërsa Laçi nuk ia del dot të sigurojë kualifikimin për në kupat e Europës.

Fitore 2-1 mori edhe Kastrioti në sfidën e luajtur në “Redi Maloku” përballë Teutës, por ky triumf mund të mos mjaftojë që krutanët të sigurojnë mbijetesën, pasi fati i tyre tashëm është në dorën e të tjera skuadrave.

Skuadra e Devollit vuajti jo pak në sfidën e sotme, teksa e zhbllokoi sfidën vetëm në minutën e 69’ me anë të Roger, ndërsa 3 minuta më vonë ishte Vatnikaj që dyfishoi shifrat. Teuta rihapi takimin në minutën e 85-të me anë të Sherif Kallakut, por pa ia dalë të marrë qoftë edhe një pikë nga kjo transfertë.

Fitoi lehtësisht Skënderbeu përballë Luftëtarit, me rezultatin 2-0, duke bërë që shpresat e korçarëve për një vend në kupat e Europës (nëse fitojnë gjyqin me UEFA-n), të rihapen këtë herë më shumë se kurrë.

Kroati Pervan ishte heroi i skuadrës së Orges Shehit, pasi shënoi dy herë, nga një gol për çdo pjesë, duke u dhënë 3 pikët korçarëve, që sot e mbyllën sezonin, pasi javën e fundit e kishin kundër Kamzës, ndaj do të marrin 3 pikët në tavolinë.

Në “Selman Stërmasi”, ku është bërë gjithçka gati për ceremoninë e dhënies së titullit ndaj kampionit të sapo-shpallur, Partizanit, këta të fundit arritën të ndajnë nga një pikë me Kukësin, falë barazimit 1-1.

Verilindorët kaluan të parët në avantazh, në minutën e 47 me anë të sulmuesit nga Mozambiku, Reginaldo, ndërsa Partizani u kundërpërgjigj 5 minuta nga fundi me njeriun e momentit, shkodranin Eraldo Çinari.