Sot hyjnë në fuqi sanksione të reja ndaj Iranit

0

 

Sot hyjnë në fuqi sanksione të reja ndaj Iranit. Më 5 Nëntor në Uashington jepet drita jeshile për një shkallëzim të ri të sanksioneve kundër Iranit.

Ato synojnë të godasin sektorin e naftës dhe atë financiar. Europa ka vështirësi me kundërmasat e saj.

Sanksionet amerikane synojnë të godasin zemrën ekonomike të Republikës Islamike-eksportin e energjisë. Nga kjo ditë ndalen bizneset e ndryshme në shoqëritë iraniane të naftës. Edhe sigurimet e të gjitha llojeve janë të ndaluara, edhe ato të transporteve të naftës. Në të njëjtën kohë do të shtohen edhe sanksionet për sektorin financiar.

Kështu do të ndalohen të gjitha transaksionet financiare me Bankën Qendrore Iraniane dhe banka të tjera iraniane. Presidenti Trump i ka quajtur këto sanksione “më të ashprat e të gjitha kohërave”. Eksporti iranian i naftës duhet të zerohet, sipas vullnetit të qeverisë amerikane. Edhe nëse kjo nuk arrihet plotësisht, çdo lloj kufizimi i ri eksportit të naftës do të ishte i dhimbshëm për Iranin. 80% e të ardhurave shtetërore të Iranit e kanë origjinën në shitjen e naftës.

Pas daljes së njëanshme të SHBA nga marrëveshja atomike- Joint Comprehensive Plan of Action, shkurt JCPOA, SHBA u vendosi afate partnerëve të Iranit për të reduktuar bizneset e tyre.

Afati i parë prej 60 ditësh përfundoi më 6 gusht. Pas kësaj Iranit iu bllokua mundësia e aksesit tek dollari amerikan. Edhe industri të tjera të rëndësishme iraniane si ajo e automobilëve dhe qilimëve u vendosën nën sanksione. Afati i dytë merr fund më 5 Nëntor.

Sipas qeverisë amerikane me sanksionet duhet të ushtrohet „maksimalisht presion ndaj Iranit. Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në një fjalim më 21 Maj paraqiti një listë me 21 kërkesa që duhet të përmbushen për të mënjanuar sanksionet.

Irani duhet të dorëzojë programin e tij të raketave, të mos mbështesë më „grupet terroriste në Lindjen e Mesme,” përfshirë edhe Hizbollahët, Hamasin dhe grupin Xhihadi Islamik Palestinez. Ky vend duhet të tërheqë të gjitha trupat nën komandon iraniane nga Siria, dhe kërkojë çmobilizimin e milicëve shiitë ne Irak.

Rrëzimi i qeverisë iraniane nuk është qëllim i shpallur zyrtarisht i sanksioneve. Por deklaratat e këshilltarit të presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton të lenë të kuptosh se destabilizimi i Iranit dhe ndërrimi i regjimit në Teheran do të ishin të dëshiruara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here