Rrezohet aeroplani ushtarak: 17 persona humbin jetën

0

Së paku 17 persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një aeroplani të vogël ushtarak në një zonë të banuar afër qytetit pakistanez të Raëlpindi-it.

Rrëzimi i aeroplanit krijoi një shpërthim zjarri që ndriçoi qiellin dhe tmerroi banorët. Aeroplani u rrëzua në një fshat të varfër të qytetit që shërben si bazë kryesore e ushtrisë.

“I kemi pranuar 17 trupa të vdekur, në mesin e të cilëve janë 12 civilë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit”, tha zëdhënësi i ekipeve të shpëtimit, Farooq Butt, duke shtuar se 12 persona të tjerë janë lënduar në aksidentin që ndodhi afër kryeqytetit të Pakistanit, Islamabad.

Një banor tha se aksidenti ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit. “U zgjova nga zhurma e një shpërthimi të madh. Dola jashtë shtëpisë dhe pashë flakë të mëdha”, tha Mohammad Sadiq.

Një banor tjetër, Ghulam Khan, tha se e dëgjoi zhurmën e aeroplanit kur ai kaloi mbi shtëpinë e tij dhe duket se kishte marrë flakë para se të rrëzohej. “Zhurma ishte e frikshme”, tha ai.

Zyra ushtarake për informim tha se aeroplani i rrëzuar ishte në një mision trajnues të zakonshëm. Zyrtarët e ekipeve të shpëtimit i shuan flakët dhe i dërguan personat e lënduar në spital.

Në Pakistan ndodhin shpesh rrëzime të aeroplanëve dhe helikopterëve. Në vitin 2016, një aeroplan mori flakë, duke lënë të vdekur 40 persona, shkruan “The Guardian”.