Opinion: Nga “kazani” po i vjen fundi

0
Protesta e opozitës: Rama urdhëron lyerje me graso të shtyllave
 

70 vjet më parë, Gjermania do të miratonte Kushtetutën e saj, në kushte krejt të pazakonta. Grundgesetz-i ose Ligji Themeltar, një dokument i gjatë, u hartua nën mbikëqyrjen e Aleatëve nga viti 1948 deri në vitin 1949.

Teksti final u kompletua më 8 maj të vitit 1949, u miratua nga britanikët, francezët dhe amerikanët më 12 maj dhe hyri në fuqi më 23 maj të vitit 1949. Filozofi Peter Sloterdijk, i cilësuar së fundmi si ‘koka më e zgjuar në vend’, thotë se është akoma një befasi se si gjermanët u kthyen nga një vend me potencial shkatërrimtar në nxënësin më të mirë të demokracisë.

Për shumëkënd, Gjermania ishte një bast i humbur: vendi mund të kthehej shumë shpejt në një shtet të dështuar. Por si ia doli Gjermania që brenda disa dekadash të kthehet jo vetëm në lokomotivën ekonomike të Europës, por mbi të gjitha në një shembull të demokracisë? Ekspertët besojnë se media e lirë kishte një rëndësi vendimtare.

Kur gazetari i Bild, Peter Tiede, u vu nën valën e sulmeve në Facebook për shkrimin e fortë, ku Shqipëria cilësohej si një shtet mafioz në duar gangsterësh, ai tha diçka që e kishte parashikuar më herët edhe MAPO. “Nuk e kam shkruar artikullin për publikun shqiptar, por për atë gjerman”, shkroi ai në FB.

E vërteta është se nuk ishte gazeta Bild që e nisi serinë e shkrimeve me tone të forta nga ‘kazani’ mediatik gjerman kundër qeverisjes shqiptare. Treshja e televizioneve publike, DW, ZDF dhe ARD kishin kohë që po shkruanin për situatën në vend. Vetë ZDF shkruante se Shqipëria është nën kontrollin e mafies. Se çfarë diference bën etiketimi ‘shtet mafioz’ me ‘shtet nën kontrollin e mafies’, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që këto media po përgatisnin terrenin për atë që do vinte së shpejti: reagime të forta nga politika gjermane, ku kërkohet jo vetëm shtyrja e zgjedhjeve, por nuk cilësohet më as tabu largimi i kryeministrit Edi Rama. I atij kryeministri që shtypi i vendeve gjermanishtfolëse e kishte vlerësuar jo pak herë gjatë kësaj kohe.

Rama ishte personazhi që i mahniste, një artist i kthyer në politikan, një ish-basketbollist që vizatonte kur takonte zyrtarët e lartë, një njeri që kishte vendosur të ndryshonte Shqipërinë me ngjyra dhe të luftonte të keqen me të bukurën. Një njeri që i befasonte kur e quante vendin e tyre të mërzitshëm dhe Shqipërinë plot jetë me kaosin e saj. Mirëpo kur ky kaos nisi të zbriste në rrugë kundër tij, fillimisht me studentët dhe më pas me opozitën, u zbulua se personi i mërzitshëm ishte ai që nuk bënte gjë ndryshe nga autokratët e tjerë.

Shumë shpejt u zbulua se pas fasadës fshihej një kombinim toksik i qeverisjes, me krim dhe korrupsion në nivele befasuese, ku një kilometër rrugë kushton 20 milionë euro e ku një pishë blihet sa paga minimale e dy viteve punë të një shqiptari. Një vend ku si askund në histori, dy ministra të Brendshëm dalin të lidhur me drogën dhe krimin e organizuar. Madje kur mediat gjermane kishin nisur ‘monitorimin’, ai vazhdoi të bënte atë që dinte më mirë, në fushën më të ndjeshme: te dija. U nis për të shuar protestën studentore dhe përfundoi duke ‘kapur’ universitetin. U ‘ça’ duke folur për pavarësinë e Akademisë së Shkencave dhe e futi në ‘xhep’ në momentin më të parë.

‘Kazani’ që po ziente në Shqipëri prej kohësh nisi të ‘derdhej’ edhe jashtë, si shenjë se gjërat po prekin fundin.

Nga: Enton Palushi