Në zbulim të historisë dhe bukurive të Valbonës

0
Në zbulim të historisë dhe bukurive të Valbonës

Vetë emri Valbonë,  siç thonë gojëdhënat, vjen nga një vizitor i huaj,  prift italian, i cili kur erdhi nga Thethi dhe doli në Qafë të Valbonës e quajti Valbonë –  Vale Buona- Luginë e Bukur. Sot është një nga vendet më të vizituara në Veriun shqiptar. Emri Valbona i referohet lumit i cili përshkon luginën anës së cilës është ndërtuar edhe një fshat i vogël, aktualisht me shumë pak banorë. Malet që rrethojnë këtë perlë quhen Malësi e Gjakovës. Pas rënies së komunizmit, kolapsi ekonomik preku edhe Valbonën si gjithë Shqipërinë, por mund të thuhet që kjo zonë ishte zona më e prekur nga varfëria e Shqipërisë së asaj kohe.

Tashmë Valbona është rizbuluar, duke u specifikuar si një natyrë e egër, e paprekur, një perlë e fshehur në veri të Shqipërisë. Padyshim që Valbona është destinacioni perfekt për ata që duan të mahnitin veten e tyre. Ata që kërkojnë të largohen nga stresi, të shpëtojnë veten nga rutina, të migrojnë në meditimin që sjell vetëm natyra, duhet patjetër ti drejtohen Valbonës. Megjithatë, kjo natyrë nuk ju kufizon vetëm me kaq, por shkon edhe më tutje duke ju ftuar të përfitoni prej saj për ti dhenë ngjyrë pasioneve si piktura, fotografia dhe udhëtimeve plot aventura nën heshtjen e një natyre që flet vetëm me zërin e ujit të burimeve, të zogjve dhe të pemëve.

Valbona është cilësuar nga të huajt si një tokë e vetme, unike brenda Shqipërisë dhe një destinacion tek i cili nisesh për të qëndruar pak, por që më pas kthehet në një vend i cili krijon varësi dhe të cilin nuk mund ta braktisësh për të mos u kthyer më. Ujëvara, lugina, burimet, gjelbërimi, natyra e paprekur, stanet, kullat, kisha, njerëzit dhe mikpritja të gjitha formojnë një tablo që nuk duhet humbur nga askush.