Meta bën deklarata të forta ndaj kryeministrit Rama

0

Presidenti Ilir Meta nuk i ka kursyer kunjat dhe shigjetat në drejtim të kryeministrit Edi Rama në një intervistë që dha mbrëmjen e së martës në emisionin “Përballë” në TVSH. Sipas kreut të shtetit nuk ka dyshime që kriza e sotme politike buron nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008

“Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme e burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para dy viteve. Nuk është një zhvillim i ri në Shqipëri mungesa e dialogut midis mazhorancës dhe opozitës” – tha Meta.

Ai tha se nën kryeministrin Rama janë bërë hapa prapa të demokracisë.

“Kemi bërë hapa prapa sa i takon demokracisë parlamentare dhe kemi bërë hapa para drejt një liderizmi arbitrar.

Pa ndryshuar sistemin zgjedhor është e vështirë të ndryshosh liderët. Mos harrojmë që jemi një vend që kemi një trashëgimi autoritare dhe për shkak të këtij graviteti çdo hapësirë që mund t’i lihet liderit e çon atë drejt autoritarizmit.

Kjo gjendje duhet të marrë fund. Jemi në kohë për të mos shkuar drejt një konfrontimi që do të ishte i pafalshëm për të gjithë. Nuk duhet të rrezikojmë arritjet e vendit nga viti 1997 dhe në këtë drejtim duhet një reflektim nga të gjithë për të rikthyer vendin në një normalitet kushtetues”, – tha më tej Meta.

Presidenti Meta është treguar shumë i ashpër me Reformën në Drejtësi, duke e cilësuar atë si të orientuar drejt emrave të përveçëm, dhe jo drejt standardeve demokratike.

“Zbatimi i reformës në drejtësi u orientua drejt emrave të përveçëm dhe jo drejt standardeve demokratike. Unë të vërtetës i them të vërtetë.

Unë nuk jam President ambasadash. Ndonjëherë ambasadorët më shumë krijojnë kaos se sa thonë të vërtetën. KE duhet të sjellë ekspertë nga Brukseli për të parë se si është zbatuar reforma në drejtësi.

Këtë ja kam thënë edhe Danielsson. Shoqëria civile për mua ka bërë një reagim, sikundër ishte rasti i fundit i Komisionit të Helsinkit dhe Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, reagim që duhet marrë seriozisht. Presidenti ka bërë çdo gjë për parandalimin e një krize të tillë.

Përpjekja ka qenë e qartë, jo vetëm për të parandaluar këtë krizë dhe për të nxitur një dialog midis shumicës dhe opozitës por edhe për të dhënë mesazhe shumë herë më të forta për çështjen e integrimit evropian”, tha Meta.