Manipulimet e numëruesve: KQZ vendos rinumërimin e votave

0
Manipulimet e numëruesve: KQZ vendos rinumërimin e votave

Për shkak të manipulimeve të ndryshme nga komisionerë të subjekteve politike, Komisioni Qendror Zgjedhor në bazë të të dhënave të auditimit të publikuar nga QNR-ja, mori vendim që në 530 vendvotime të rinumërohen votat.

Ky vendim u mor sot në një konferencë për media të drejtuar nga Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së.

Burim Ahmetaj nga QNR foli edhe për numërimin e votave të diasporës që ka përfunduar mbrëmë, ndërsa tha se janë në fazën e fundit që t’i hapet rrugë edhe numërimit të votave me kusht.

Sa i përket gjetjeve nga raporti i auditimit, ai prezantoi pesë rekomandime, me anë të të cilave KQZ-ja më pas votoi për rinumërim të votave.

“Ka raste kur subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidatët kanë votuesit e tyre. Gjithashtu, kemi raste kur kandidati për deputet ka më shumë vota se vetë subjekti e kjo është bërë në 89 vendvotime.

Po ashtu, edhe kur të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota se vetë subjekti”.

Ahmetaj tha, gjithashtu, se kanë hasur edhe në raste kur ka më shumë fletëvotime sesa janë shënuar në formularët e rezultateve.