Luan Rama: Sulmi i Ramës ndaj presidencës është i patolerueshëm

0

Luan Rama: Sulmi i Ramës ndaj presidencës është i patolerueshëm.

Ndërsa vetë Meta ndodhet ende në Francë, eksponentë të LSI kanë reaguar për një letër-shkëmbim publik mes Presidentit dhe Kryeministrit për çëshjen e mosdekretimit të Sandër Lleshit.

Ajo çka u mësua nga letra e Ramës është se Lleshi heq dorë nga grada “gjeneral” për të marrë dekretin si Ministër i Brendshëm.

N/kryetari i LSI, Luan Rama e quan “Paligjshmëri, paturpësi dhe papërgjegjshmëri” veprimin e Kryeministrit, i cili doli si mbrojtës i Kushtetutës, kur sipas tij,  kishte shkelur kushtetutën duke propozuar gjeneralin për ministër.

Reagimi i plotë i Luan Ramës në facebook

E gjithë praktika e emërimit të Ministrit të Brendshëm mund të përcaktohet me këto tri fjalë: paligjshmëri, paturpësi dhe papërgjegjshmëri!

Sepse ai, Kryeministri pra, në rastin kur nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës propozimi i tij i parë për emërimin e Ministrit të Brendshëm, deklaroi se është i vendosur t’i mësojë Kushtetutën Presidentit të Republikës, ndërkohë që me propozimin e dytë, në kushtet e paligjshmërisë flagrante, pasi pranon se e ka shkelur vetë Kushtetutën, i kërkon Presidentit që të bëjë të njejtën gjë, pra që edhe Presidenti të shkelë Kushtetutën!

As më pak dhe as më shumë e gjitha kjo është një paturpësi dhe papërgjegjshmëri, që kur na shfaqet si qasje e Kryeministrit ndaj ligjit dhe ndaj Kushtetutës, është e paprecedentë dhe e patolerueshme!
Mjaftojnë edhe shembuj të tillë që të tjerët, miqtë, partnerët, por edhe ata që nuk na duan, jo vetëm të mos na konsiderojnë e të mos na marrin seriozisht, por të na quajnë me të drejtë qesharakë e karagjozë të pavlerë!

Ndaj e gjej me vend të kujtoj Fan Nolin kur thoshte se “kanë të drejtë dhe ata që qeshin, dhe ata që zemërohen. Se puna është për të qeshur dhe për të qarë…

…Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here