LEGJENDA THESARIT: Në fshatin Valikardhë kanë nisur gërmime natën

0
LEGJENDA THESARIT: Në fshatin Valikardhë kanë nisur gërmime natën

Gërmimet e paligjshme që bëhen natën shqetësuan banorët e fshatit Valikardhë. Një legjendë për thesar, sipas tyre, duket se ka tërhequr në zonën e quajtur “Ura e Qytetit” disa grupe kërkuesish.

“Po kërkojnë për flori”, kaq të tregojnë ata pak banorë që ndalojnë të flasin.

Në vendin ku shtrihej qyteti mesjatar i Getias, kërkuesit kanë dëmtuar një pjesë të madhe të sipërfaqes së zonës, me gropa që janë mbuluar me gurë, por edhe gërmime pa kriter.

Policia në Bulqizë thotë se janë pezulluar gërmimet dhe se hetimet vazhdojnë, por pa dhënë detaje për kërkuesit e paligjshëm.

Adem Bunguri, një prej arkeologëve njohës i mirë i zonës, i kontaktuar nga Top Channel me telefon thotë se dëmtimi i një zone të tillë është shkatërrim i historisë dhe arkeologjisë.

Shpeshherë në këtë zonë ka pasur gërmime pirate arkeologjike, të cilat kanë shqetësuar komunitetin e banorëve, por edhe arkeologët, për të mos llogaritur dëmin që i vjen shtetit nga vjedhja e shitja e paligjshme e artefakteve.