Kryetari i PD Eugen Isaj bashkebisedim me gazetaret: Elbasani qyteti me i varfer ne ballkan ,askush nuk flet

0

Kryetari i partisë Demokratike dega Elbasan, Eugen Isaj u ndal në një bashkëbisedim me gazetarët, ku evidentoi nivelin Ekonomik të qytetit të Elbasanit , duke e ballafaquar atë me një studim të fundit të Bankës Boterore e cila e rendit Elbasanin si një ndër bashkitë më të varfëra në Ballkan. Po shtu Z. Isaj u ndal te nje ser ceshtjesh te tjera, si shpopullimi i fshatit, te politika lokale e cila drejtohet sipas tij nga Taulant Balla dhe riemerimi i prefektit Maksim Malaj nga Kryeminsitri.

Fjala e Plote e Z. ISaj:

Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim. Gjithashtu ju falenderoj edhe për informimin me korrektësi dhe objektivitet të ngjarjeve të Partisë Demokratike, veçanërisht të protestave kundër qeverisë Rama. Historikisht Partia Demokratike e ka konsideruar median si një partner të rëndësishëm në zhvillimet demokratike të vendit. Nga ana tjetër ju e keni konstatuar vetë këto vite se si Edi Rama, të gjithë institucionet janë mbyllur hermetikisht dhe përpiqen ta etiketojnë median si “kazan“ e duke i vendosur lloj-lloj epitetesh sepse jeni ju ata që e diskretitoni këtë pushtet të korruptuar fund e krye në sy të qytetarëve…

Sot desha të ndalesha më konkretisht në shqetësimin më të madh të banorëve të bashkisë së Elbasanit. Në gjendjen ekonomike të tyre. Me keqardhje e them që në fillim se, institucioni prestigjoz ndërkombëtar monetar, Banka Botërore, e ka renditur Elbasanin si një ndër bashkitë më të varfra në Ballkan. Edhe Kukësi që ka qenë gjithmonë si bashkia më e varfër në vend, tashmë ndodhet më lart se Elbasani.

Sipas të dhënave që disponon Partia Demokratike Elbasan, gjendja paraqitet e rënduar si në qytet ashtu edhe në fshat. Mungesa e subvencioneve dhe e politikave mbështetëse në fshat ka bërë që në këto vite fshati të rrënohet tërësisht. Tokat djerr po shtohen gjithandej sepse fermerët nuk kanë mundësi ti plugojnë e ti mbjellin. Tregjet për prodhimet mungojnë. Investimet në infrastrukturën rrugore kanë qenë zero këto vite sepse Edi Rama ka vendosur të pikturojë, për të mos thënë zhgarravisë, fasadat e qyteteve. Mjafton të përmend të fakt tronditës në fushën e blektorisë. Nga mbi 100 mijë krerë bagëti që kishte Elbasani para disa vitesh, tashmë numri i tyre është reduktuar në 30 mijë. Ndodhur në këto rrethana të rinjtë kanë marrë rrugën e kurbetit, ndërsa fshatrat po zbrazen.

Por qyteti e ka akoma më të vështirë. Sepse siç e thotë edhe populli, në qytet është gjithçka në majë të lekut. Në Elbasan është thelluar si asnjëherë papunësia, janë mbyllur bizneset, është ulur si asnjëherë fuqia blerëse. Punë jo, investime jo, shërbime jo. 50% e familjeve në Elbasan nuk arrijnë të shtyjnë dot muajin me ushqime duke hyrë në borxhe ose duke shënuar emrin në lista. Mjaft familje të varfra janë hequr edhe nga skema e ndihmës ekonomike. Ato janë në kufijtë e mbijetesës. Siç e keni konstatuar nëpër rrugë janë shtuar lypësat dhe ata që mbledhin kanaçe, plasmase e mbetje të riciklueshme.

Me fillimin e vitit të ri shkollor rreth 80% e familjeve i blenë librat pasi zhurma për libra falas ka dështuar. Librat e vjetër ishin të papërshtatshme për fëmijët që nisën shkollën. Lajme të këqia edhe nga Universiteti i Elbasanit ku sipas të dhënave rrezikohen të mbyllen disa degë.

Ndotja është ulur këmbëkryq në Elbasan dhe ne nuk po shpëtojmë dot prej saj. Sikur të mos mjaftonin tymi dhe smogu që çlirohen nga fusha e plehrave dhe zona industriale, në Elbasan vazhdon të investohet në thellimin e kësaj ndotjeje. Siç jeni vënë në dijeni së fundmi në ish metalurgjik u ngrit edhe një fabrike që prodhon bateri dhe që çliron plumb një element ky shumë i rrezikshëm për shëndetin.

Nuk ka asnjë reagim, as nga pushteti lokal dhe as nga pushteti qendror. Kur e pyesin të dërguarin e Ramës këtu, Taulant Ballën, ai nis e flet për reformën në drejtësi dhe nuk thotë asnjë fjalë për qindra qytetarë që po vdesin çdo ditë nga ndotja dhe kanceri. Edhe i emëruari i Taulant Ballës, kryetari i ri i bashkisë nuk thotë asnjë fjalë. Kjo sepse të gjithë ndotësit e mëdhenj në Elbasan janë të lidhur me qeverinë.

Gjendja në arsim dhe shëndetësi në Elbasan gjithashtu janë në pikë të hallit. Infrastruktura e godinave të shkollave, kopshteve dhe çerdheve lë për të dëshiruar. Në spitale mungojnë ilaçet. Sepse Kryeministri e ka mendjen të japë konçensione e PPP dhe jo tek qytetarët.

Së fundmi desha të përmend edhe një fakt. Riemërimin e prefektit të ri të Elbasanit. Rama ka vendosur të riciklojë një ushtarak duke mohuar vlerat intelektuale dhe drejtuesve mjaft të zotë që ka ky qytet. Kjo ndodh sepse ai e ka mendjen tek “dora e fortë“ tek qeverisja e bazuar në terrorin dhe frikën.

Të nderuar gazetarë,

Ka shumë për të folur për Elbasanin dhe për këtë qeverisje. Sot ne u ndalëm në aspektin ekonomik dhe në disa shqetësime të tjera për banorët e bashkisë. Në takimet e radhës do të trajtojmë edhe shqetësime të tjera për qytetarët.

Zhvillimet dhe protestat e këtij viti dëshmuan se qytetarët nuk e duan më Kryeministrin Rama. Nuk kanë pse ta duan sepse ai i varfëroi më shumë, i nëpërkëmbi, i gënjeu, i humbi shpresën. Ai po bëhet pengesë për gjithçka. Edhe për integrimin e vendit në familjen evropiane. Ndaj dhe ju patë me sytë tuaj protestat më të fuqishme të ndodhura ndonjëherë gjatë viteve të demokracisë. Qytetarët duan një alternativë të re dhe këtë alternativë e ka gati Partia Demokratike e cila e ka shprehur hapur se qeverisja e saj do të jetë e qytetarëve dhe për qytetarët.

Media Line News