Kosovë: Ferronikeli fiton edhe trofeun e Kupës

0

Vetëm 5 ditë pasi ngriti lart trofeun e kampionit të IPKO Superligës, Feronikeli vendosi diktatin në futbollin kosovar, duke arritur të triumfojë edhe në Digitalb Kupën e Kosovës.

Skuadra nga Drenasi arriti t’i imponohet Trepçës ’89 në finale, duke e mposhtur me rezultatin 4-1, në një ndeshje që të cilën skuadra e drejtuar nga Zekerija Ramadani e vuri shumë shpejt nën kontroll.

Pas një starti të qetë, ku të dy skuadrat dukej sikur studionin dhe prisnin njëra-tjetrën, kampionët nga Drenasi arritën të zhbllokojnë sfidën në minutën e 14’, pas një goli të shënuar nga sulmuesi anësor Astrit Fazlliu.

Gjithçka u bë edhe më e lehtë për Feronikelin, që pas një aksioni të shpejtë, në minutën e 27’ arriti të gjejë edhe golin e dytë, me anë të mesfushorit 23-vjeçar, Mendurim Hoti, i cili çoi mposhti pa shumë vështirësi portierin e Trepçës ’89.

Këta të fundit u zgjuan vetëm në pjesën e dytë dhe tentuan të zhvendosin lojën në gjysmëfushën e Feronikelit, por nuk kishin forcën e duhur për të kërcënuar kuadratin e portës dhe për të rihapur takimin.

Në minutën e 67’, Feronikeli shënoi edhe golin e qetësisë me anë të mesfushorit Morina, i cili ishte në vendin e duhur në zonë, për të devijuar në rrjetë një top të goditur me kokë nga njëri prej shokëve të skuadrës.

Vetëm 4 minuta më vonë, të besuarit e Zekerija Ramadanit zbritën në një tjetër kundërsulm të shpejtë, teksa Hoti ktheu një top në zonë, por portieri i Trepçës bëri një gafë të rëndë, pasi në tentativë për ta zotëruar, e uli në këmbët e Kastriot Rexhës, me goleadorin që nuk fali dhe e dërgoi në rrjetë.

Kaq mjaftoi që llogaritë në “Fadil Vokrri” të prisheshin dhe skuadra nga Mitrovica të hidhej e tëra në sulm, duke qenë se nuk kishte më çfarë të humbte.

Efekti ishte i menjëhershëm, teksa pas dy tentativave radhazi, fillimisht portieri Troshupa ndali gjuajtjen e skuadrës nga Mitrovica, por më pas nuk mundi të bëjë asgjë ndaj Mujës, që vetëm 5 metra larg portës, shtyu topin në rrjetë duke shënuar golin e parë dhe të vetëm për skuadrën nga Mitrovica.

Megjithatë festivalin e golave e mbylli sërish Feronikeli, që në minutën e dytë shtesë shënoi golin e pestë me anë të sulmuesit kryesor Kastriot Rexha, i cili gjuajti nga jashtë zone, duke e dërguar topin në rrjetën e portës së Beqirit.

Ky triumf mban të ndezura “dritat e festës” në Drenas, në një vit për t’u mbajtur mend ku Feronikeli fiton gjithçka në Kosovë dhe madje edhe me rekorde, pasi u bënë skuadra e parë që fiton për herë të dytë “dopietën” e titujve, ndërsa duartrokitjet për këtë sukses patën jehonë të fortë edhe në kryeqytet.

Kjo pasi bashkë me Feronikelin, mbrëmjen e sotme feston edhe Prishtina, që fitoi të drejtën për t’u përfaqësuar në paraeliminatoret e Europa Leagues, një vend që i takon fituesit të Kupës, por duke qenë se skuadra nga Drenasi do të luajë në Champions, atëherë kjo e drejtë kalon te vendi i dytë në renditje.