Këshilltarja e kryeministrit Haradinaj “godet” liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti

0
Këshilltarja e kryeministrit Haradinaj

Këshilltarja e kryeministrit në largim, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar ashpër ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ajo ka thënë se Kurti është gëzuar jashtë mase pasi Haradinaj ka marrë  për të tretën herë ftesë nga Specialja, duke i renditur disa arsye se pse mund të jetë gëzuar Kurti.

Ndër të tjera këshilltarja e Haradinajt thotë se Kurti është gëzuar gjithmonë sa herë që Ramush Haradinaj ka marrë goditje pas shpine, pasi siç thotë ajo “Kurti nuk mbijeton dot politikisht përballë Haradinajt”.

Në fund ajo thotë se të gjithë e dinë, përfshirë edhe Kurtin, që ky nuk është fundi i Ramush Haradinajt.

Reagimi i plotë i saj:

Mirëmëngjes Albin,

Gëzim i madh të paska qenë dje, për arritjen e ftesës së tretë për Hagë ndaj Haradinajt.

Kam disa dilema se cilës arsye iu gëzove më shumë:

  1. Lehtësimit të situatës për ndarje dhe zhbërje të Kosovës?

Apo

  1. Hapjes së rrugës për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë?

Ose

  1. Largimit të Ramush Haradinajt nga diametri yt i shkurtër politik?

Albin,

Mirë që u bërë i gjallë dje, pas përpjekjeve të dështuara në rrugët qorrsokake që zgjodhe për të gjetur kauzë politike. Iu gëzuam edhe ne gjallërisë tënde politike, mu ashtu siç iu gëzove edhe ti fatkeqësisë së Kosovës, AAK-së, dhe Ramushit dje.

Humbe mundësinë të ndihmosh Kosovën Albin, në momentin kur vendose t’a lësh Kryeministrin Haradinaj të luftojë i vetëm, kundër ndarjes së Kosovës, kundër dorëzimit të sovranitetit të saj Serbisë, kundër përmbysjes së sakrificës sonë shekullore, kundër luftës e tragjedisë së re. Për mua, për ty, për ne, për fëmijët e mi e tuaj (edhepse ti nuk i rritë këtu), për të ardhmen e përbashkët në Kosovë.

Gëzoheshe Albin, sa herë kryeministri Haradinaj merrte goditje prapa shpinës, sepse ti e kishe të pamundur mbijetesën politike përballë një kolosi, një gjenerali, një kryeministri zotdalës e të pamposhtur. Kështu do të jetë gjithmonë, i dashur Albin. Këpucët e Ramushit gjithmonë do të të bijnë të mëdha.

Gëzimi yt nuk do të përcjellë gjatë, sepse Kosova do t’i mbijetojë goditjeve të ulëta. E për Ramushin, Albin, ti e din që ky nuk është fundi…