Ja si e kanë pasqyruar mediat e huaja vendimin ndaj ish-ministrit Tahiri

0
Ja si e kanë pasqyruar mediat e huaja vendimin ndaj ish-ministrit Tahiri

Pas më shumë se 10 orë në dhomën e këshillimit, Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për “Shpërdorim detyre”, ndërsa rrëzoi 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria. Dënimi me burg i Tahirit u pezullua dhe kaloi në shërbim prove për tri vite.

Ndërkohë, Prokuroria akuzonte Tahirin për “Trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, por për Gjykatën këto akuza nuk faktohen me prova dhe për këtë është bërë ndryshimi i cilësimit të veprës penale, duke e gjetur fajtor për “Shpërdorim detyre”.

Vendimi i bërë publik nga treshja e gjyqtarëve në orët e mbrëmjes, nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat ndërkombëtare, të cilat që në titull raportojnë se një gjykatë shqiptare e ka liruar nga akuzat për trafik droge ish ministrin Saimir Tahiri.
Ja çfarë shkruajnë mediat e huaja sot:

REUTERS: “Një gjykatë shqiptare e shpalli fajtor ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri të enjten për shpërdorim detyre por të pafajshëm për trafik droge, dhe e dënoi atë me tre vjet shërbim provë. Prokurorët kërkonin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej për 12 vjet me akuzën e korrupsionit, trafikut të drogës dhe të qenurit pjesë e një grupi kriminal, një rast që ka tronditur administratën e majtë.

Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të interesuar të shohin Tiranën të rritë luftën e saj kundër korrupsionit, të takohen për të vendosur nëse do të mbështesin ofertën e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit të rekomanduara nga Komisioni i BE”.

Ansa: “Ish-ministër në kabinetin e kryeministrit socialist, Edi Rama, në detyrë deri në mars 2017, Tahiri përfundoi në gjyq pas hetimeve të kryera në Itali, hetime që çuan, në tetor të po këtij viti, në shkatërrimin e një organizatë kriminale e përbërë nga italianë dhe shqiptarë, disa të afërm të ish-ministrit, që merreshin me trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Tahiri tashmë ka njoftuar se do të apelojë vendimin”.

Euronews: “Ligjvënësit socialistë në pushtet refuzuan thirrjet për të hequr imunitetin e Saimir Tahirit vitin e kaluar dhe për tja dorëzuar drejtësisë, por ai hoqi dorë vetë nga mandati i deputetit në muajin maj pasi shtetet e BE kërkuan nga Tirana që të luftonte seriozisht korrupsionin nëse dëshironte të anëtarësohej në BE.

Një nga yjet në ngjitje të Partisë Socialiste kur u emërua ministër i Brendshëm në vitin 2013, kur ishte vetëm 34 vjeç, Tahiri filloi modernizimin e forcës policore dhe i dha fund prodhimit në shkallë industriale të kanabisit në Lazarat në fillim të vitit 2014.

Sidoqoftë, kanabisi më pas u përhap në të gjithë vendet e Ballkanit dhe trafikantët kanë zbarkuar ngarkesa deri në një ton në Itali”.

BalkanInsight: “Gjykata i jep ish-ministrit të Brendshëm një dënim me burg të pezulluar për shpërdorim detyre, por e konsideron atë jo fajtor për akuzat më të rënda për trafik droge, në një aktgjykim që partia kryesore e opozitës e quajti “të turpshëm”.