Ish-trajneri i Partizanit pritet të zyrtarizohet si trajneri i ri i Kukësit

0
Ish-trajneri i Partizanit pritet të zyrtarizohet si trajneri i ri i Kukësit

Rrufe në qiell të hapur. Shpëtim Duro, sipas të gjitha gjasave, do të jetë trajneri i ri i Kukësit. Tekniku 59-vjeçar, me eksperiencë në kampionatin shqiptar dhe jo vetëm, ka parakaluar në momentin e fundit kandidaturën e Ilir Dajës, i cili ishte gjithashtu në bisedime me verilindorët.

Duro ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit dhe në rast të përjashtimit të ndonjë të papriture të çuditshme nga ato që rezervon merkato, do të prezantohet zyrtarisht këtë të enjte për të nisur një sfidë të re, atë për të fituar titullin kampion me Kukësin, pas një jete të tërë në fushat e futbollit.

Në Shqipëri Duro ka drejtuar një sërë skuadrash si Dinamon, Besën, Skënderbeun, Vllaznië e Flamurtarin, por mbahet mend gjatë si tekniku që çoi Partizanin pas plot 7 vitesh në Europë, duke ringritur skuadrën e kuqe e pa dyshim edhe për Kupën e Shqipërisë të fituar në Kavajë.

I njohur për lidhjen e tij me Partizanin, ku në një farë mënyre e snobuan për t’i bërë vend Starovës, do t’i duhet të rivalizojë pikërisht të kuqtë për titullin kampion. Në karrierën e tij Duro vlerësohet jo vetëm për sukseset si trajner, por edhe për evidentimin e talenteve dhe rritjen e lojtarëve, pasi skuadrat që ka ngritur apo lojtarët që ka seleksionuar kanë lënë shenjë për vite me radhë.

Por dita te verilindorët ka qenë intensive jo vetëm sa i përket stolit. Kukësi ka fituar një derbi në merkato me Partizanin duke zyrtarizuar përforcimin me Mirlind Dakun, qendërsulmues mjaft i aftë dhe pjesë e përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Kosovës, që ishte tentuar edhe nga të kuqtë. Një përforcim i mirëmenduar dhe një goditje e madhe pas asaj të Enis Gavazajt, Daku vjen në huazim për një vit te Kukësi, ku tanimë është larguar zyrtarisht Simon Rrumbullaku.

Ishte vetë klubi që konfirmoi ndarjen e rrugëve me mbrojtësin, që i kishte përfunduar kontrata dhe dëshiron një aventurë jashtë Shqipërisë, me drejtuesit e merkatos që tani u duhet të realizojnë edhe një goditje të denjë në mbrojtje, ku emri më i dëshiruar është pa dyshim ai i futbollistit të Kombëtares, Andi Lila.