Interi i Contes mposhtet por tregon stabilitet dhe organizim në prapavijë

0
Interi i Contes mposhtet por tregon stabilitet dhe organizim në prapavijë

Interi ka humbur me rezultatin minimal 1-0, sfidën përballë Manchester Unitedit, të zhvilluar në Singapor, në kuadër të International Champions Cup, një kompeticion veror ku marrin pjesë skuadrat më të mëdha europiane.

Në një stadium të ngjyrosur me të kuqe, nga numri i lartë i tifozëve të Manchester United, ishin pikërisht anglezët që patën kontrollin e lojës dhe dominuan në qarkullimin e topit, por hasën në një mbrojtje të rreshtuar mirë nga Antonio Conte.

Nga ana tjetër skuadra zikaltër çalonte dukshëm në sulm, ku si Longo, ashtu edhe i riu Espozito, nuk arrinin të fitonin duelet me mbrojtjen angleze dhe të mbanin topin për të nxjerrë ekipin përpara.

Megjithatë pjesa e parë u mbyll në barazim dhe në 45-minutëshin e dytë u kryen shumë ndërrime nga të dy trajnerët, ndërsa golin e fitores për “djajtë e kuq” e shënoi i riu Greenwood, 15 minuta para fundit të takimit.

Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer mori përgjigje mjaft të mira nga pjesa dërrmuese e futbollistëve, ndërsa te Interi bënë një ndeshje mjaft të mirë Stefano Sensi dhe futbollistët e mbrojtjes.

Megjithatë zikaltrit duhet të nxitojnë për të kompletuar repartin e avancuar të organikës së skuadrës, që edhe sot u pa se ishte “thembra e Akilit” e një ekipi, që di të rreshtohet mirë mbrapa dhe të dalë shpejt në sulm.