Igli Tare “shpërthen” në akuza ndaj arbitrimit pas ndeshjes me Milanin

0

Lazio zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë në “San Siro” përballë Milanit, por ashtu siç ndodh që prej 29 vitesh, dolën sërish duarbosh, pasi u mposhtën me rezultatin minimal 1-0, falë një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Kessie.

Në përfundim të sfidës, Drejtori Sportiv i kryeqytetasve, Igli Tare ka shpërthyer sërish ndaj vendimeve të arbitrit, duke theksuar se këta të fundit janë në borxh shumë të madh me Lazion, që prej sezonit të kaluar.

“Ishte kronika e një vdekjeje të paralajmëruar, diçka të cilës i trembesha që para se të fillonte takimi. Zhvilluam një ndeshje të madhe dhe më vjen keq që u vendos nga episodet, jo nga fusha. Penalltia për Milanin qëndronte, por ne na u mohua një 11-metërsh i pastër, kur Rodriguez ndërhyri ndaj Milinkoviç-Saviç në zonë”, tha Tare.

Lazio është ende në garë për një vend në zonën Champions dhe për më tepër, do të përballet sërish me Milanin, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, sfidë në të cilën Tare kërkon hakmarrjen.

“Duhet të vijojmë punën tonë dhe llogaritë t’i bëjmë vetëm në fund. Kemi përpara edhe ndeshjen e Kupës ndaj Milanit, ku duhet të tregojmë vlerat tona, ndonëse mund të them se arbitrat janë në borxh të madh me ne, që prej vitit të kaluar”, theksoi Drejtori Sportiv i bardhekaltërve.