Haxhinasto: Qyetarët po ngrihen për mosqeverisjen e këtij vendi

0

Ish-deputeti i LSI-së Edmond Haxhinasto deklaroi në studion e lajmeve të Fax News, se protesta e opozitës kishte një pjesmarrje masive nga ana e qytetarëve, por nga ana tjetër ai tha se është e papranueshme hedhja masive e gazit lotsjellës si dhe dhuna e ushtruar ndaj protestuesve.

“Pjesmarrja ishte e lartë nga ana e qytetarëve. Ndërhyrjet e policisë nuk kanë qenë aspak profesionale. Policia përdori gaz lotsjellës dhe dhunë dhe kjo është e papranueshme. Megjithatë unë shpreh keqardhje për efektivët dhe qytetarët e plagosur”, tha Haxhinasto.

Duke listuar arsyet se përse qytetarët marrin pjesë në protestat e organizuara nga opozita, Haxhinasto tha: “Kanë marrë pjesë mjaft qytetarë të cilët tregojnë kundërshtinë e tyre ndaj jo qeverisjes por mos qeverisjes, sepse fatkeqësisht vendi nuk po qeveriset. Vazhdon largimi masiv i shiptarëve, papunësia, sa vjen e zbehet shpresa dhe mbi të gjitha po ndodh një problem i madh i përmasave kombëtare që është ndryshimi drastik i demografisë.

Të gjithë tashmë e dinë se askush nuk është dakort që të shkohet në zgjedhje, pa patur më parë një reflektim të thellë ndaj mijëra qytetarëve që dalin dhe protestojnë jo për partitë politike, por për mënyrën se si po qeveriset vendi dhe hallet e problemet e tyre”.

Lidhur me programin politik që ofron opozita Haxhinasto tha: “Duhen politika shumë të qarta punësimi  për të rinjtë, për biznesin, kthimin e sigurisë tek biznesi, të ulen ngarkesat që kanë, të kenë optimizëm dhe një klimë krejtësisht tjetër për investimet. Nuk kemi klimë të mirë për investimet vendase dhe të huaja ndryshe nga vendet e rajonit.

Opozita ka një platformë që po e detajon çdo ditë dhe më shumë të cilën do t’ia prezantojë shqiptarëve. Ajo ka të bëjë me investimet në sektorët kryesorë në ekonomi siç janë turizmi, bujqësia dhe blegtoria. Kjo do të nisë që me ndryshimin e sistemit arsimor, ku në bazë të asaj që fëmijët dhe të rinjtë mësojnë në shkollë, i kthejnë njohuritë e tyre  në diçka praktike”.

Haxhinasto u shpreh se ndjehet skeptik për vendimin që do të merret në qershor nga vendet e Bashkimit Europian lidhur me hapjen e negociatave me vendin tonë. Ai theksoi se ka një qëndrim të lëkundur dhe kritik nga disa kryeqytete Europiane ç’ka e vështirëson marrjen e një përgjigjeje pozitive.

“Në qershor të këtij viti pritet të merret vendimi për ti dhënë Shqipërisë hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, gjë  e cila sipas indicieve të disa kryeqyteteve janë të pakta shansët për të ndodhur pasi janë treguar skeptik dhe kritik”.

“Nuk trembemi në mënyra absolute se mund të mbetemi jashtë sistemit. Kërkesat e opozitës janë elementare, kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, çfarë mund të kërkojmë tjetër kur nuk funksionon gjëja bazë për një sistem demokratik që është liria dhe e drejta e votës”, tha Haxhinasto lidhur me mundësinë që opozita të dalë nga sistemi për shkak të djegies së mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve të qershorit në rast se mazhoranca nuk pranon kërkesën e saj për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.