Gazetarja e njohur tregon se si kaloi sëmundjen tumorale

0
Gazetarja e njohur tregon se si kaloi sëmundjen tumorale

Dy vite më parë, Saranda Hoda ose siç njihet tashmë- Sasa- ishte në luftë për jetën.

Gazetarja nga Kosova u prek nga sëmundja e rrallë hemangioma, një tumor i qelizave të gjakut që në rastin e saj kërkonte patjetër disa ndërhyrje.

Fatmirësisht, Sasa mundi të mbijetojë.

Sot, ajo ishte e ftuar në “Ftesë në 5”, ku e pyetur për sfidën e madhe për jetën, ajo u përgjigj:

“Zoti ta dërgon një të keqe, por është gjithmonë një rrugë e hapur, gjithmonë ka një zgjidhje”

Sasa u shpreh se ndihet e mikluar nga gjithë mbështetja që ka marrë kur po luftonte për të mposhtur sëmundjen.

Megjithatë, nuk ka qenë vetëm sëmundja sfida që Sasës i është dashur të kalojë në jetë. Asaj i ka munguar ajo që shumë fëmijë të tjerë e kanë: mamaja biologjike.

Sasa rrëfeu sot për Bieta Sulon historinë e dhimbshme të braktisjes nga mamaja, të cilën thotë se nuk do të donte ta takonte më.

“Jeta nuk ka qenë e mirë me mua, asnjëherë, me thënë të drejtën”, e nisi Sasa rrëfimin e saj, “që në momentin kur kam ardhur në jetë, si një fëmijë i padëshiruar. Jam fëmijë jashtëmartesor.”

Sasa zbuloi se nëna e saj ka qenë e dashura jashtë martese e babait.

“Ata vendosën të më braktisnin, dhe më lanë të jetoja tek shtëpia e gjyshes dhe gjyshit. Unë u rrita me vëllain, motrën që ishte në shtëpi dhe njerkën, së cilës s’i them dot as njerkë, pasi për 17 vite me radhë mendoja se ajo është nëna ime.”

Pasi mësoi se nëna e saj biologjike është dikush tjetër, Sasa zuri ta kërkonte, e vendosur për të njohur gruan që e kishte sjellë në jetë e më pas e kishte braktisur.

“Kur je 17 vjeçe, një lajm i tillë të bie si bombë. Nuk di si të reagosh”, e përshkruajti Sasa momentin kur mori vesh të vërtetën.”

Ajo rrëfeu se gjithë jetën, ishte ndier inferiore dhe e veçuar nga të gjithë, për faktin se ishte e braktisur.

“Gjithmonë kam qarë kur flisja për këtë. Tani jo. E them: e kam jetën si një serial.”

Sasa tregoi se as i ati nuk e dinte ku ndodhej mamaja e saj biologjike, madje nuk ishin të sigurt në ishte apo jo në jetë.

“Pas një viti, gjendet kontakti me të. Thoja me vete: “Do ta shaj”, por jo.”

Ajo kujtoi bisedën e parë në telefon me mamanë.

“Më mori ajo. Më tha: “Saranda, unë jam nëna jote.” Unë isha 18 vjeçe. U tensionova. Nuk është se e ofendova shumë. I thashë: “Si mund të jesh nëna ime, kur ti më ke braktisur?” Pastaj e qetësova veten. Thashë: “Mendohu pak, mund të ketë një arsye”.

“Kjo histori do mbetet gjithmonë mes dy personave. Nuk kam dashur asnjëherë t’i pyes, as mamin dhe as babin, përse më kanë braktisur.”

Pas 11 vitesh nga biseda e tyre e parë, Sasa nuk është ribashkuar me mamanë. Në lidhje me arsyet, ajo u shpreh:

“Tani jam shumë e lumtur dhe ndihem me fat që nuk jam me të. Kur një njeri është i ftohtë, ai do të jetë i ftohtë gjatë gjithë jetës. Unë e kam afruar, i kam dhuruar dashuri.”

“Jemi takuar vetëm një herë, dhe kurrë më. Në momentin kur e takova, e ndjeva ngrohtësinë e nënës. Por kur tjetri nuk e ndjen ngrohtësinë e fëmijës…”

Ishte mamaja e saj arsyeja përse ato nuk u ribashkuan. Ajo tashmë kishte krijuar jetën e saj në Gjermani, ndonëse Sasa tha se nuk ka dashur të mësojë më tepër për jetën e mamasë biologjike.

“Ajo le të vazhdojë jetën e saj, unë timen, jam shumë e lumtur që nuk jam me të.”