Foshnja shqiptare qe u flijua dhe mbiu nje peme:Historia e rralle e rrefyer brez pas brezi

0

Dushku i Lleshanit me një moshë 500 vjeçare tashmë është kthyer në vlerë natyrore, e cila do të mbijetojë edhe për shekuj të tjerë, mbi kodrën e vogël në fshatin Lleshan, rreth 15 km larg qytetit të Elbasanit. Flladi i tij përshëndet udhëtarët që kalojnë pranë tij. “Kjo madhështi lindi nga flijimi i një foshnjeje me një lende dushku në grykë. Nëna dhe babai bënë të pamundurën për foshnjën e tyre të vogël që ta kthenin përsëri në jetë, por jo…!Foshnja do të ishte krijesa e kësaj peme madhështore, që populli e mbron, i shërben dhe e respekton si të ishte një gjë e gjallë këtë monument natyror me shumë vlera”.Një epitaf, i cili është varur në trungun e dushkut është kontakti i parë mes vizitorëve të huaj dhe vendës, në lidhje me mitin e lashtësisë së kësaj peme, që shfaqet si një simbol i përjetësisë.I ka kaluar shumë vite dhe ndodhet mes fshatrave Dërstilë dhe Shelcan.Buzë rrugës në fshatin Lleshan, Dushku i Lleshanit, është kaq i përhapur si mit, si rrjedhojë e një historie që ndodhet midis legjendës dhe reales.Dushku i ka hapur degët e tij në një fushë të madhe dhe pret çdo kalimtar të rastit për t’u ulur nën hijen e tij, si dhe për të shijuar ujin e ftohtë që rrjedh shumë pranë.
Një nga banorët më të vjetër të fshatit rreth të 90-tave, xhaxha Kadriu,mban mend nga gjyshi dhe stërgjyshi i tij shumë detaje nga historia e këtij dushku të mocëm. Ata janë duke bërë të njëjtën gjë. Po jua përcjellin brezave këtë histori të vecantë.
Sipas të moshuarit , gojëdhënat thonë se lendja që fëmija përtypi, mbiu në barkun e tij, hapi rrënjët thellë në tokë dhe një dushk i madh u rrit pikërisht mbi trupin e njomëzakut.E veçanta është se, për shkak të klimës, në zonën e Shpatit rrallë sheh dushqe, këtu nuk mbillen pemë të tilla dhe ky dushk është një ndër të vetmit që vazhdon të jetojë e të gjelbërojë në çdo stinë.Dhe gojëdhënat thonë se “më pas me amanetin e tyre, prindërit e djalit u varrosën pranë këtij dushku, e kështu me radhë të gjithë pjesëtarët e familjes.Tashmë rreth tij ndodhen shumë varre të cilat prehen nën krijesën e foshnjës.Kurdo që të shkosh, ai është i njëjtë, i gjelbër, i cili të fton vetiu të ulesh pranë tij dhe të bisedosh me të, duke pirë një cigare apo ujin e ftohtë, i cili nuk dihet se nga vjen.Në vitin 2002, dushku është shpallur monument natyror, për nga vetë vlerat që ka.Lartësia e tij është rreth 21 m, diametri i trungut 120 cm, perimetri i trungut 240 cm. Pranë tij ndodhet një vend I mirë dhe xhami, të cilat frekuentohen ndjeshëm jo vetëm nga banorët vendas, por edhe nga zona të tjera.