EURO 2020: Bie Gjermania me një përmbysje spektakolare të tulipanëve

0

Më 24 Mars të këtij viti, Gjermania triumfoi me rezultatin 2-3 përballë Holandës në stadiumin “Johan Cruiff Arena” të Ajaxit, ndërsa mbrëmjen e sotme “tulipanët” u përgjigjën me të njëjtën monedhë, duke fituar 2-4 në “Volksparkstadiun” të Hamburgut.

Ndeshja e sotme ishte për “jetë a vdekje” për holandezët, të cilët kishin marrë vetëm 3 pikë dhe rrezikonin të kompromentonin kualifikimin në rast humbjeje, por të besuarit e Ronald Koeman bënë gjithçka mirë, duke u larguar me 3 pikë nga Gjermania.

Ishin pikërisht “pancerat” e Joakim Low që kaluan të parët në avantazh me një gol të Gnabry në minutën e 9’, ndërsa ky rezultat mbeti në fuqi deri në fund të pjesës së parë.

45-minutëshi i dytë filloi me një tjetër ritëm dhe me një Holandë të bindur për të ndryshuar fatin e takimit, ndërsa në minutën e 59’ ishte mesfushori i Barcelonës De Jong, që shënoi golin e barazimit.

Vetëm 7 minuta më vonë, në një aksion të bukur të holandezëve, Depay lëvizi bukur pa top dhe befasoi mbrojtësin gjerman Jonathan Tah, i cili devijoi topin në rrjetën e Neuer, autogol që u dha avantazhin “tulipanëve”.

Reagimi i Gjermanisë ishte i vakët, pro gjithsesi në minutën e 73-të ishte mbrojtësi De Ligt që gaboi në zonë dhe preku topin me dorë, ndërsa arbitri nuk ngurroi të vërshëllejë për një 11-metërsh në favor të vendasve.

Mes polemikave dhe protestave për një pozicion jashtë loje në nisje të aksionit, penalltinë e mori përsipër Toni Kroos, që gjuajti saktë dhe riktheu baraspeshën në “Volksparkstadion” të Hamburgut.

Megjithatë Holanda kishte ardhur për 3 pikë në këtë transfertë dhe nuk u fsheh për asnjë moment. Kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi, Malen mposhti për herë të tretë Neuerin, ndërsa në minutën e parë shtesë ishte Wëijnaldum që vulosi triumfin e Holandës, duke përshëndetur rrjetën për herë të katërt.

Me këtë fitore Holanda ngjitet në kuotën e 6 pikëve pas 3 ndeshjeve, ndërsa Gjermania numëron 9 pikë në 4 ndeshje. Grupi kryesohet nga Irlanda e Veriut me 12 pikë të plota në 4 takimet e para, por vlen të theksohet se në asnjë prej këtyre ndeshjeve nuk janë përballur me Holandën apo Gjermaninë.